Humbi kontrollin e motorit dhe u përplas me murin, 17 vjeçari shqiptar humb jetën në Itali

Ishte ora 23:00 e të shtunës, kur Alen Karaboja po kthehej në shtëpi me motorin e tij. Në sediljen e pasagjerit një shok i tij 15 vjeçar. Rrugës për t’u kthyer, për arsye ende të pazbardhura nga hetimet, Aleni humb kontrollin e motorit.

Të dy adoleshentët shkëputen nga sedilja, ndërsa 17 vjeçari me origjinë shqiptare përplaset me një mur aty pranë. Të shumta lëndimet, plagë që pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ambulancës, rezultuan fatale për Alenin.

17 vjeçari humbi jetën, ndërsa 15 vjeçari shpëtoi me disa lëndime të lehta.

Ngjarja tragjike ndodhi në Italinë fqinje, në qytezën e Bienno-s.

Të shumta lulet dhe dedikimet në vendin ku i riu humbi jetën. I gjithë komuniteti i Valcamonica-s mban zi për 17 vjeçarin që iku nga kjo botë në lule të rinisë. Veçanërisht për prindërit e Alenit, Majlindën e Gëzimin, si dhe për vëllanë e tij të madh Enion i cili shkroi një dedikim prekës për të vëllanë e ndjerë.

“Do të të dua gjithmonë vëllai im i vogël. Ti je gjysma ime tjetër dhe gjithmonë më ke mbushur zemrën me gëzim. Çdo ditë do të shikoj qiellin dhe do të të përshëndes. Do më mungosh shumë, më shiko dhe më mbro nga lart”.