Lajm i mirë, mësuesja i shpëton jetën 5 vjeçarit duke i dhuruar pjesë të mëlçisë së saj

Në një akt të jashtëzakonshëm dashamirësie dhe vetëmohimi, një mësuese parashkollore ka dhuruar një pjesë të mëlçisë së saj për t’i shpëtuar jetën një vogëlushi të quajtur Ezra Toczek, i cili ishte një ish-nxënës i saj.

5 vjeçari kishte lindur me një problem në mëlçi, por në dy muajt e fundit, pas vizitave të radhës, mjekët kishin konstatuar se mëlçia dhe funksionet e saj ishin drejt dështimit të plotë. Mjekët i kishin thënë familjarëve se mëlçia e 5 vjeçarit do të ndalonte së funksionuari brenda vitit. Vogëlushi u vendos në listë pritje për transplant të mëlçisë. Ditët e javët kalonin dhe asnjë lajm nuk po i vinte familjes, derisa në derë, u trokiti Carissa Fisher, pak kohë më parë mësuesja e 5 vjeçarit.

Fisher kishte mësuar rastësisht se ish nxënësi i saj përballej me vështirësi serioze. Ajo kishte shkuar në spital pa dijeninë e familjes Toczek dhe kishte kryer analizat për të parë nëse kishte përputhshmëri të organeve. Për mrekulli, testet rezultuan pozitive.

Fisher shkoi në derën e shtëpisë së famijes Toczek me një pankartë dhe dhurata, ku pyeste vogëlushin nëse do të kishte dëshirë të “ndante me të” një pjesë të mëlçisë së saj.

“U mbushëm me emocion. Lutjet tona morën përgjigje”-tha nëna e 5 vjeçarit, ndërsa babai i tij tha se akti vetëmohues i mësueses ishte një dhuratë e madhe nga Zoti.

Vetë mësuesja, tregoi për median amerikane se “kurrë nuk e kisha menduar se do t’i ndryshoja jetën… ishin momente emocionale, shumë u lumturova kur pashë gëzimin e tyre”