Dhërmi: Recepsionisti 31 vjeçar qëllohet me armë, autori ikën drejt Greqisë… viktima ende nuk gjendet

Recepsionisti 31 vjeçar i një hoteli në Dhërmi është qëlluar me armë dhe dyshohet se është vrarë nga një 41 vjeçar që rezulton të jetë larguar nga Shqipëria, fill pas ngjarjes së rëndë.

Ngjarja ka ndodhur pak minuta pas mesnatës në Dhërmi. Autoritetet janë kontaktuar nga ana e pronarëve të hotelit të cilë kanë thënë se kishin humbur kontaktet me recepsionistin. Policia thotë se pas mbledhjes së provave, rezulton se i riu me inicialet E.N është qëlluar me armë zjarri nga 41 vjeçari me origjinë nga Tepelena, por që ishte banues në Angli.

Autori është larguar drejt Greqisë pas krimit, ndërsa 31-vjeçari që u qëllua me armë nuk është gjetur ende.

Njoftimi

Më datë 06.06.2024, Policia ka marrë njoftim se në Dhërmi, Himarë, shtetasi E. N., 31 vjeç, banues në Tiranë, punonjës në recepsionin e një hoteli në Dhërmi, Himarë, kishte humbur kontaktet me pronarët e hotelit.

Me marrjen e njoftimit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Himarë kanë ngritur një grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në hotel dhe kanë kryer një sërë veprimesh hetimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. N. është qëlluar me armë zjarri, rreth orës 00:30, nga shtetasi G. Sh., 43 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Angli.

Nga veprimet e tjera hetimore rezulton se pas ngjarjes shtetasi G. Sh. është larguar drejt Greqisë.

Janë administruar në cilësinë e provës materiale, prova ligjore, si dhe janë shoqëruar deri në këto momente, për t’u pyetur në lidhje me këtë ngjarje, 29 shtetas.

Nga tërësia e veprimeve të deritanishme dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë kriminale.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën intensivisht për gjetjen e shtetasit E. N., si dhe për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit. Në vijim, do të ketë njoftime të tjera për veprimet e kryera nga grupi hetimor.