U vra nga pronari hotelit në Dhërmi, gjendet në Gjipe trupi i pajetë i recepsionistit 31 vjeçar

Policia ka gjetur të pajetë trupin e recepsionistit 31 vjeçar Eraldo Nevruzi. I riu i cili dyshohet se u qëllua për vdekje me armë nga bashkëpronari i hotelit në Dhërmi Gerald Shehu, u gjet këtë të premte në zonën e Gjipesë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 6 qershorit. Autori 43 vjeçar e vrau me pistoletë të riun në ambientet e hotelit në Dhërmi dhe më tutje i zhduku trupin. Për këtë ai dyshohet se u ndihmua edhe nga dy punonjës të tjerë të hotelit, të cilët janë arrestuar nga policia.

Pas krimit, Gerald Shehu u arratis drejt Greqisë, por u kap nga autoritetet atje pasditen e 6 qershorit në Korfuz. 43 vjeçari kishte prerë një biletë drejt Londrës, atje ku dhe banonte.

Viktima dhe autori kanë patur njohje mes tyre, ndërsa motivi i vërtetë i vrasjes mbetet ende i panjohur.

“Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit E. N. 

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë.   

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit  E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.   

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.“-njoftoi policia.