I mori jetën ‘Lilit’ për një fjalë goje, italiani e goditi 61 vjeçarin shqiptar me thikë në zemër

Pak ditë më parë në Bobbiano të Reggio Emilia-s, një 61 vjeçar shqiptar i quajtur Ilirjan Minaj humbi jetën tragjikisht nga duart e një 41 vjeçari italian, i cili pas një debati të nisur për motive banale, goditi me thikë në zemër shqiptarin.

“Lili”, siç e njihnin të gjithë, ndërroi jetë në shkallët e pallatit, pas momente pasi thika i çau zemrën. Së fundmi media italiane i ka kushtuar një artikull të detajuar rastit të rëndë, duke sjellë në vëmendje historikun e autorit të krimit, i cili do të gjykohet për ‘vrasje të rëndë me dashje’.

Nje postim ne rrjetet sociale i Ilirjanit, i cili ishte tifoz i Ajax-it

Italiani Riccardo Stefani nuk ishte i panjohur për drejtësinë, pasi kishte qenë më parë i burgosur. 41 vjeçari rezulton të ketë patur dhe një historik me varësinë nga droga si dhe i regjistruar si person me probleme me varësinë nga shërbimet sociale.

Avokati i tij mbrojtës tregon për median vendase se Stefani kishte treguar një sjellje anormale edhe për krimin e bërë.

“Nuk ishte mirë, nuk e kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe mohonte që të ishte zënë ndonjëherë më parë me viktimën”. tregoi avokati.

Autori krimit, denuar me pare nga drejtesia italiane

Autori, i cili sot përballet me gjykatën, kishte shkuar të jetonte me të vetmin person që i kishte mbetur, nënën e tij të moshuar. Sapo kishte përfunduar dënimin për kundërshtim me forcë ndaj një zyrtari policor dhe drejtim të makinës në gjendje të dehur.

Por edhe pas të gjithë këtyre problemeve dhe transferimit tek banesa e të ëmës, nuk kishin munguar konfliktet e përplasjet.  Vetëm pak javë më parë ai ishte denoncuar sërish për dëmtim të pronës publike në një rrethrrotullim, akt të cilin ai e kishte justifikuar duke thënë se ‘atje më ka vdekur qeni dhe e kam inat atë rrethrrotullim”

Të gjithë fqinjët e përshkruajnë 41 vjeçarin se një njeri problematik, i mësuar të shajë përpara se të komunikojë e flasë. Media italiane shkruan se nuk rezulton të ketë qenë hera e parë që 41 vjeçari të ketë patur probleme me familjen shqiptare që jetonte dy kate sipër tij.

Pallati ku ndodhi krimi

Krimi që ndodhi në shkallët e pallatit, pati si motiv një ofendim që italiani drejtoi ndaj 61 vjeçarit, i cili e ndoqi atë deri në derën e shtëpisë së tij. 41 vjeçari vrapoi në banesë dhe prej aty doli me një thikë kuzhine, me të cilën goditi për vdekje Ilirjanin.

61 vjeçari nuk jetonte në atë godinë, por kishte ardhur për të takuar mbesën dhe familjarët e saj. Ilirjan Minaj ishte me origjinë nga Korça, prej 20 vitesh jetonte në Itali, njëlloj si shumë familjarë të tjerë të tij. Media vendase shkruan se 61 vjeçari ishte njeri punëtor, i thjeshtë dhe i qeshur, e kundërta e personit që i mori jetën pabesisht. 61 vjeçari la pas të shoqen Natasha, dhe vajzën 19 vjeçare.

Natën e krimit, pati dhe përplasje në hyrjen e pallatit pasi shumë banorë e familjarë të të ndjerit, tentuan të godasin 41 vjeçarin italiane. Momentet u regjistruan në kamera, të cilat i gjeni në lajmin e mëposhtëm.