Kosova feston 25 vjetorin e çlirimit

Kosova ka nisur sot festimet për 25 vjetorin e çlirimit të saj nga pushtimi serb dhe hyrja e forcave të NAT0-s në territorin e saj, akt i cili i dha fund masakrave dhe genocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm.

Çlirimi shënoi kthesën më të madhe në historinë moderne të Kosovës, kur më 12 qershor të vitit 1999 hynë rreth 50 mijë trupa të NATO-s, nga 39 kombe të ndryshme të botës.

Çlirimi i Kosovës erdhi pas 78 ditësh bombardime të Aleancës Ushtarake Perëndimore kundrejt serbëve. Në atë kohë, ish- Presidenti Bill Clinton iu drejtua me një mesazh popullit amerikan duke thënë se “sonte për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur. Ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova. Një milion burra, gra dhe fëmijë të dëbuar nga toka e tyre po përgatiten të kthehen në shtëpi. Kërkesat e një komuniteti ndërkombëtar të indinjuar dhe të bashkuar janë përmbushur. Unë mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi arritur një fitore për një botë më të sigurt… Agresioni ndaj një populli të pafajshëm është frenuar dhe po kthehet prapa.”

Në Kosovë ndërkohë, duke filluar nga ky 10 qershor, të shumta janë aktivitetet e përgatitura për të festuar 25 vjetorin e çlirimit të vendit. Veç aktiviteteve festive, në Prishtinë mbërriti ish kryeministri britanik Tony Blair, i cili në vitet 99’ ishte një ndër liderët politikë që çoi përpara kauzën për ndërhyrje në Kosovë.

“Nëse do të kishim lejuar që populli i Kosovës të brutalizohej edhe më tutje, që të drejtat t’i merreshin dhe që e ardhmja t’i vidhej, edhe e ardhmja jonë do të zbehej. Atëherë isha i bindur se ishte gjëja e duhur për ta bërë këtë dhe ende e kam këtë bindje. Edhe tani jam i bindur që duhet t’u rrijmë krah njerëzve të Kosovës që e ardhmja të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj… Pres me padurim ta shoh ditën kur Kosova do ta zë vendin e duhur në familjen e kombeve si shembull për tërë botën”, tha ish kryeministri gjatë takimit me Presidenten Vjosa Osmani.

Përplasja mes NATO-s e Rusisë për Aeroportin e Prishtinës

Më poshtë një kronikë e Radio Evropa e Lirë në lidhje me një prej momenteve më delikate të ditëve gjatë çlirimit të Kosovës, kohë kur trupat e NATO-s u përballën me pushtimin e aeroportit të Prishtinës nga ana e trupave ruse. Për REL flet gjenerali i pensionuar amerikan Uesli Klark, i cili tregon përplasjen e asaj kohe.