Një turist me origjinë nga Bullgaria, i shpallur i zhdukur në malin e Jezercës, është gjetur i pajetë nga autoritetet.
Turisti ishte nisur së bashku me një mik të tij, i cili ka qenë dhe personi që ka kryer denoncimin. Dy miqtë kishin humbur kontaktet me njëri- tjetrin gjatë eksplorimit në mal. Denoncimi i kryer nga turisti tjetër erdhi në momentin kur ky i fundit kishte kaluar në Malin e Zi.
Pas njoftimit, një helikopter Cougar i Forcave të Armatosura u ngrit në ajër dhe pas disa orësh kërkime, është bërë e mundur gjetja e trupit të pajetë të turistit në Jezercë.
“Pas marrjes së njoftimit, të gjitha strukturat operacionale të Mbrojtjes Civile, në nivel vendor dhe qendror janë angazhuar menjëherë. Helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura është ngritur në ajër, duke marrë me vete ekipin mjekësor dhe ekipin e kërkim-shpëtimi malor. Kërkimet filluan nga ajri për të zbuluar ndonjë shenjë të personit të humbur. Në të njëjtën kohë, ekipi i kërkimit-shpëtimit malor u la në afërsi të vendit për të vazhduar kërkimet nga toka.
Përpjekjet intensive dhe koordinimi i strukturave vazhduan për disa orë, derisa u arrit që të gjendet trupi i pajetë i personit në nevojë”, thuhet në një njoftim të Mbrojtjes Civile.
Shumë turistë të huaj që vijnë në Shqipëri pikërisht për të eksploruar malet në veri, preferojnë të mos shkojnë me guida apo banorë të zonës, një element që shpesh herë është bërë shkak për aksidente, humbje apo tragjedi me vdekje.
“Në zonat me rrezikshmëri të lartë, dhe ne shumë raste të pashkeluar, është e rëndësishme që turistët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga guidat e specializuara. Siguria e tyre dhe e të tjerëve varet nga respektimi i këtyre udhëzimeve dhe informacioneve të rëndësishme për këto aktivitete sportive.” njofton Mbrojtja Civile.