Momenti i fundit i 20 vjeçarit shqiptar që ndërroi jetë në Kretë, zbardhen konkluzionet e autopsisë

Ky është momenti kur 20 vjeçari shqiptar Orgito Lloci merr frymë për herë të fundit, përpara se të rrëzohet në tokë, në rrugën Kalyves Apokoronas në Kretë.

Media greke ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat kanë fiksuar momentin kur i ndjeri po mbahet tek një burrë që përpiqet ta ndihmojë për të ecur. Në një moment, 20 vjeçari shembet përtokë, ndërsa në zonë vijnë një sërë qytetarësh. Pavarësisht mbërritjes së mjekëve të urgjencës dhe orvatjeve të tyre për ta risjellë në jetë, zemra e Orgitos ndaloi në atë trotuar.

20 vjeçari kishte ardhur nga Athina për të punuar si roje bregdetare në një hotel në një prej plazheve të Kretës. I riu është përleshur me dy 24 vjeçarë grekë të cilët dyshohet se e kanë goditur me grushte e shkelma.

Fill pas sherrit, 20 vjeçari është ndjerë keq dhe më tutje ka humbur jetën. Media greke ka raportuar mbi të dhënat e para të ekspertizës mjeko-ligjore, sipas të cilës i riu ka vdekur për shkak të komplikacioneve në zemër. Po sipas rezultateve të autopsisë, Orgito vuante nga probleme të zemrës ndërsa sherri mes të rinjve ka mjaftuar për t’i sjellë atij komplikacone që në fund i kanë marrë jetën.

Familja dhe të afërmit e përcollën Orgiton për në banesën e fundit, mesditën e të enjtes.

Dy të rinjtë e akuzuar se kanë goditur 20 vjeçarin, pritet të dalin të premten përballë gjykatës.