Pak na ndan nga nisja e kampionatit europian ndërsa Qendra Ndërkombëtare për Studimet në Sport ka publikuar së fundmi një vlerësim financiar dhe vlerësues, mbi ekipet kombëtare që marrin pjesë në Euro24.
Listën e kryeson Anglia, lojtarët apo ekipi i të cilës vlen afro 1.7 miliardë euro. Në grupin B, ku ndodhen dhe kuqezinjtë, e para në listë është Spanja, lojtarët e të cilës vlejnë mbi 1 miliardë euro. Pas tyre vjen Italia me një vlerë mbi 870 milionë dhe Kroacia me vlerë thuajse 400 milionë euro.
Shqipëria renditet e fundit, me një vlerë prej 139 milionë eurosh. Sipas vlerësimit, kuqezinjtë lënë pas vetëm kombëtaren e Rumanisë, e cila vlen 91 milionë euro.
Mosha mesatare e kombëtares sonë është 27.7 vjeç, ndërsa në grup lëmë pas vetëm Kroacinë, me një moshë mesatare të lojtarëv në 28.2 vjeç. Italia ka një mesatare prej 26.9 vjeç, ndërsa Spanja 27.5
“Gjyshërit” e këtij europiani e mbajnë si titull skocezët me një mesatare gati 29 vjeç. Më të rinjtë me mesatare poshtë 26 vjeçëve, është ekipi i Çekisi.
Në lidhje me gjatësinë mesatare të futbollistëve, Shqipëria ka një mesatare 183.6 cm. Italianët janë të parët me 184 cm, më pas kroatët me 183.9 dhe më të shkurtrit mesatarisht, spanjollët me 181.6 centimetra.
Spanjollët në fakt rezultojnë më të shkurtrit e këtij kampionati, ndërsa më të gjatët serbët me mesataren 186.5 cm.
Përsa i përket lojtarëve, Shqipëria është plotësisht e ndërtuar me futbollistë që luajnë jashtë vendit. Italia me të cilën përballemi së shpejti, ka veçse 12% të lojtarëve që luajnë jashtë ‘Serie A’. Spanja po ashtu e ka bazën e ekipit nga kampionati spanjoll, me 27% që luajnë jashtë vendit. Kroatët janë të ngjashëm me ne, me 77% të skuadrës e cila luan në klube jashtë vendit të tyre.