Disa turistë me origjinë nga Franca kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti në segmentin rrugor Lushnje- Berat. Turistet udhëtonin me destinacion Beratin, kur furgoni është përplasur me një autokombajnë që po kalonte nga njëri kah i rrugës në tjetrin. Aksidenti ka ndodhur në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Karbunarës”.
Për pasojë, 7 turiste franceze kanë pësuar lëndime, disa prej tyre edhe fraktura. Ato janë dërguar në spitalin e Lushnjes. Sipas mjekëve asnjë prej të lënduarve nuk rrezikon jetën.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka ndaluar dy drejtuesit e automjeteve të përfshirë në aksident.
Rruga Lushnje- Berat shpesh bëhet burim aksidentesh për shkak se ka dy korsi dhe një pjesë e saj kalon nëpër zona bujqësore ku mjetet motorike kalojnë rrugën nga njëra anë në tjetrën.