Hulumtimi i BBC: Roja bregdetare greke ka hedhur emigrantë në det, dhjetëra janë mbytur thonë dëshmitarët

Media më e madhe në Europë, BBC, ka publikuar një artikull investigativ që sjell akuza të rënda përkundrejt rojes bregdetare në Greqi, e cila sipas dëshmitarëve okularë, është përgjegjëse për mbytjen me qëllim të dhjetëra emigrantëve ilegalë në ujërat greke.

Në investigimin e saj BBC sjell zërat e njerëzve që kanë arritur t’i shpëtojnë mbytjes pasi janë rrahur, prangosur e hedhur në det nga autoritetet greke. Njëri prej tyre tregon se pasi e rrahën, e hodhën në det me duart e lidhura. Një tjetër tregon se pa me sytë e tij sesi dy prej personave që u hodhën në det u mbytën, ndërsa njëri i lutej rojeve bregdetare për jetën e tij. Një emigrant tjetër rrëfen se pa 7 fëmijë të mbyten në gomonen ku i lanë rojet bregdetare, e cila nisi menjëherë të shfryhet.

Shqetësuese edhe një intervistë e një ish zyrtari të lartë të rojes bregdetare greke, i cili pas përballjes me një video të kthimit me forcë të emigrantëve në det, në mëshirë të fatit, regjistrohet jashtë kameras teksa thotë se kjo dukshëm është krim ndërkombëtar.

Po sjellim më poshtë, artikullin e plotë të BBC-së.

Roja bregdetare greke ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra emigrantëve në Mesdhe përgjatë një periudhe tre vjeçare. Kështu thonë dëshmitarët okularë, përfshi këtu 9 persona të cilët qëllimisht u hodhën në det.

Të nëntë janë në mesin e më shumë se 40 personave që dyshohet se kanë vdekur si pasojë e hedhjes me forcë nga ujërat territoriale greke, ose të nxjerrë përsëri në det pasi arritën në ishujt grekë, siç edhe ka gjetur analiza e BBC-së

Roja bregdetare greke i tha BBC-së se i hedh poshtë me forcë akuzat e ngritura në investigim.

Ne i treguam pamje video një ish zyrtari të lartë grek të rojes bregdetare, të 12 personave që futen në një mjet lundrues të rojes bregdetare dhe më pas braktisen në një gomone. Kur ai u ngrit nga karrigia, ende me mikrofonin të ndezur, tha se kjo “është qartësisht ilegale” dhe “një krim ndërkombëtar”.

Qeveria greke prej kohësh akuzohet për kthim të dhunshëm të emigrantëve, duke i kthyer prapa në Turqi, atje ku emigrantët kanë kaluar. Një akt i tillë është ilegal sipas ligjir ndërkombëtar.

Kjo është hera e parë që BBC-ja ka bërë llogaritë e numrit të incidenteve të cila dyshohet se kanë sjellë viktima pikërisht si pasojë e veprimeve të rojes bregdetare greke.

15 incidentet që ne analizuam, që datojnë nga maji 2020 deri në maj 2023, rezultuan në 43 vdekje. Sinjalizimet e para ishin nga mediat lokale, NGO-të dhe roja bregdetare turke.

Verifikimi i këtyre informacioneve është ekstremisht i vështirë. Dëshmitarët shpesh zhduken, ose kanë shumë frikë për të folur. Por në 4 nga këto raste, ne ishim në gjendje të flisnin me dëshmitarë okularë.

Në hulumtimin tonë, në dokumentarin “Heshtje e vdekur: Vrasjet në Mesdhe” (“Dead Calm: Killing in the Med?,) ka një model të qartë.

Në 5 nga incidentet, emigrantët thanë se ata ishin hedhur direkt në det nga ana e autoriteteve greke. Në disa raste tjera, emigrantët shpjeguan sesi kishin zbarkuar në ishujt grekë ndërsa më tutje ishin gjuajtur nga autoritetet greke. Në një seri tjetër me incidente, emigrantët treguan se ishin vendosur prej grekëve në gomone të fryra pa motorë, të cilat mandej ishin shfryrë ose dukej sikur ishin shpuar me qëllim.

Një prej rrëfimeve më të frikshme erdhi nga një burrë nga Kameruni, i cili tha se ai ishte gjuajtur nga autoritetet greke sapo kishte zbritur në ishullin Samos, në shtator të vitit 2021.

Si të gjithë njerëzit që intervistuam, ai kishte patur në plan të regjistrohej në tokën greke si azilkërkues.

“Sapo kishim prekur tokën kur një oficer policie na erdhi nga pas. Dy ishin të veshur me të zeza, tre të tjerë ishin civilë. Ata ishin të maskuar, vetëm sytë i dukeshin.”

Burri nga Kameruni dhe dy të tjerë (një po nga Kameruni dhe një tjetër nga Bregu Fildishtë) u vendosën në një varkë të rojes bregdetare greke. Prej aty ngjarja mori një kthesë të tmerrshme.

“Ata e nisën me tjetrin nga Kameruni. E hodhën në det. Burri nga Bregu Fildishtë u tha (teksa ishte në ujë) ‘ju lutem më shpëtoni, nuk dua të vdes’. Dalëngadalë dora e tij që ishte jashtë ujit u zhyt bashkë me trupin”-tregoi emigranti për BBC-në.

Intervituesi na tregoi se personat që e rrëmbyen, e rrahën.

“Grushtat më fluturonin në kokë. Ishte sikur ata po rrihnin një kafshë”.

Më tutje burri tregon se e hodhën dhe atë në ujë. Ai mundi të notojë deri në breg. Trupat e dy burrave të tjerë, të quajtur Sidy Keita dhe Didier Martial Kouamou Nana, u gjetën në ujërat e Turqisë.

Avokatët mbrojtës të burrit që shpëtoi, kërkojnë nga autoritetet greke që të hapet hetim penal për vrasje të dyfishtë mbi rastin.

Një tjetër burr nga Somalia, i tregoi BBC-së se në mars të vitit 2021, ai ishte kapur nga ushtrika greke me të mbërritur në ishullin Chios. Ushtria e dorëzoi atë tek roja bregdetare.

Ai tha se roja bregdetare ia kishte lidhur duart prapa kurrizit, para se ta hidhnin sërish në ujë.

“Më hodhën në mes të detit me duart e lidhura. Ata më donin të vdekur”-tregoi ai.

Më tutje burri rrëfeu se arriti të shpëtojë duke notuar me kurriz, derisa arriti të lirojë një prej duarve. Deti atë ditë ishte i trazuar dhe tre persona nga grupi i tij vdiqën. Burri arriti të shpëtojë pasi u pikas nga roja bregdetare turke.

Në incidentin me numrin më të lartë të viktimave, në shtator të vitit 2022, një anije që mbane 85 emigrantë u përball me rojen bregdetare greke në ishullin Rodus. Motori anijes së emigrantëve pushoi së funksionuari.

Muhamedi, një burrë nga Siria, i tregoi BBC-së se ata kërkuan ndihmë nga roja bregdetare greke. Këta të fundit i futën në një gomone dhe i nisën drejt ujërave turke. Muhamedi nga Siria tregoi se gomonia e shpëtimit nuk e kishte të mbyllur siç duhet valvulën e ajrit.

“Menjëherë ne nisëm të zhytemi. Ata e panë këtë. Ata na dëgjuan neve teksa ulërisnim, por sërish na lanë aty”-tregoi burri nga Siria për BBC-në.

“Fëmija i parë që vdiq ishte djali i kushëririt tim. Pas tij, vdekjet erdhën një nga një. Një tjetër fëmijë, një tjetër fëmijë, pastaj kushëriri im u zhduk. Deri në mëngjes të paktën 7 fëmijë kishin vdekur… fëmijët e mi vdiqën pak para se roja bregdetare turke të na gjente”

Ligji grek i lejon emigrantët që kërkojnë azil që të regjistrohen në disa qendra speciale nëpër ishujt e saj. Por personi që intervistuam, na tregoi se ai ishte kapur përpara se të shkonte në këto qendra. Ai na tregoi se oficerët grekë vepronin në mënyrë të fshehtë, si civilë, pa uniforma dhe shpesh të maskuar.

Grupet e të Drejtave të Njeriut aludojnë se janë mijëra personat që kanë kërkuar azil dhe në mënyrë ilegale janë detyruar forcërisht nga Greqia në Turqi, duke u mohuar të drejtën e azilkërkimit, një e drejtë e cila sanksionohet në ligjet europiane dhe ndërkombëtare.

Aktivisti austriak Fayad Mulla, na tregoi se ai vetë kishte zbuluar se në çfarë niveli sekret kryheshin operacione të tilla, në ishullin grek të Lesbosit.

Ai ishte nisur drejt një vendi ku i kishin rrëfyer se kishte ndodhur një ngjarje e tillë, kur u ndalua nga një burrë veshur me bluzë me kapuç, i cili më vonë ishte zbuluar se punonte për policinë. Aktivisti më tutje na tregoi se policia tentoi që t’i fshinte atij materialet video që ai kishte kapur përmes një kamere të vendosur në kroskotin e makinës së tij.

Aktivisti perballe oficerit te veshur civil

Dy muaj më vonë, në një vend të ngjashëm, zoti Mulla kishte arritur të filmonte një ngjarje (kthim me dhunë të emigrantëve) i cili u publikua në Nju Jork Times.

Një grup ku kishte patur gra dhe fëmijë po zbarkohej nga ana e pasme e një furgoni për t’u dërguar në një anije të vogël. Më pas ato u dërguan në një mjet lundrues të rojes bregdetare greke, larg nga vija e bregdetit e drejt e në det të hapur. Prej atje ata ishin lënë në një gomone. Sërish në këtë rast, emigrantët ishin shpëtuar nga roja bregdetare turke.

Imazhe te shkeputura nga video, ku duket sesi emigrantet nxirren nga furgoni, ngjiten ne anijen e rojes bredetare e cila i le ne det te hapur ne nje gomone

Ne ia treguam këtë regjistrim video Dimitris Baltakos, ish drejtuesit të operacioneve speciale me rojen bregdetare greke.

Gjatë intervistës, ai mohoi të spekulojë në lidhje me pamjet që i treguam, pasi më herët gjatë intervistës sonë hodhi poshtë akuzat. Por gjatë pushimit, ai u regjistrua jashtë objektivit të kameras duke i thënë në greqisht këto fjalë:

“Nuk u tregova shumë, apo jo? Kjo është fare e qartë. Nuk është fizikë bërthamore. Nuk e kuptoj veçse pse (autoritetet e rojes bregdetare ne video) e  paskan bërë në mes të ditës. Kjo është dukshëm ilegale. Është krim ndërkombëtar”

(Ndiqeni KETU momentin kur ish zyrtari del zbuluar)

Ministria e Çështjeve Detare dhe Politikave Ishullore e Greqisë i tha BBC-së se pamjet në fjalë, janë duke u hetuar aktualisht nga Autoriteti Kombëtar i Transparencës.

Një gazetare investigative në Samos me të cilën biseduam, na tregoi se ajo kishte nisur të çatonte me një pjesëtar të forcave speciale greke (të Rojes bregdetare) përmes aplikacionit ‘Tinder’. Kur ai e mori në telefon gazetaren, duke përshkruar se po e merrte nga “luftanija”, gazetarja Romy van Baarsen e pyeti atë për punën dhe çfarë ndodhte kur forcat e tij pikasnin anije me refugjatë.

Gazetarja teksa flet me oficerin e forcave speciale

Ai iu përgjigj duke i thënë se “i çojmë prapa” dhe se urdhri vinte “nga Ministri”. Ai shtonte se ata ndëshkoheshin nëse dështonin të ndalonin një anije me emigrantë.

Greqia zyrtarisht ka mohuar “kthimet prapa”.

Greqia është një portë hyrëse për shumë emigrantë. Vetëm vitin e kaluar kishte 263,048 persona që erdhën në Europë përmes detit. Greqia priti 41,561 (16%) të tyre. Turqia firmosi një marrëveshje me BE-në në vitin 2016 për ndalimin e emigrantëve që kalonin përmes Greqisë, por tha në vitin 2022 se nuk mund ta zbatonte dot më.

Ne i dërguam gjetjet e investigimit tonë tek roja bregdetare greke. Ata u përgjigjen se stafi i tyre “punon papushim me profesionalizmin më të lartë, një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe respekti për jetën e të drejtat themelore të njeriut”. Ata shtuan se punonin në “përputhje të plotë me detyrimet ndërkombëtare të vendit”

Aty shtohej se “duhet vënë në dukje se që prej 2015 deri në vitin 20245, roja bregdetare greke ka shpëtuar 250,834 refugjatë/emigrantë në 6161 incidente të ndodhura në det. Ekzekutimi i patëmetë i këtij misioni fisnik është njohur pozitivisht nga komuniteti ndërkombëtar.”

Roja bregdetare greke është kritikuar më herët për rolin e saj për rolin e saj në mbytjen më të madhe të ndodhur në Mesdhe në dekadën e fundit. Më shumë se 600 njerëz mendohet se kanë vdekur kur anija Adriana u fundos në ujërat greke qershorin e kaluar.

Zyrtarët grekë instituan se anija nuk kishte probleme dhe i ishte drejtuar Italisë, kësisoj roja e tyre bregdetare nuk tentoi t’i shpëtonte.

Burimi: BBC/ Përshtati: Fch.al