10 vjeçari shpëton familjen 7 anëtarëshe pasi vëren rrjedhjen e gazit, nëna: Do kishim ndërruar jetë në gjumë

E ëma i kishte thënë të flinte, por 10 vjeçari Mateo Polikano në fakt po luante fshehurazi me kompjuter në dhomën e tij. Një veprim i gabuar që të argëtimin para gjumit të natës, por ishte ky vendim i cili i shpëtoi jetën familjes me 7 anëtarë nga Virxhinia Perëndimore në SHBA.

Teksa luante me kompjuter fshehurazi në mes të natës, Mateo dëgjon një zhurmë që vinte në katin e parë të banesës. 10 vjeçari vendosi që të shohë se çfarë po ndodhte. Ai pa se sistemi i alarmit po sinjalizonte. 10 vjeçari zgjoi prindërit të cilët fillimisht menduan se ishte thjesht një alarm fals. Nëna e 10 vjeçarit tregoi për median amerikane se fiku fillimisht sistemin e alarmit, duke menduar se do të kishte patur një problem me bateritë. Por sistemi i alarmit ra sërish, kësaj here në dhomën e gjumit në katin e dytë.

“Në atë moment pashë tim shoq dhe i thashë, nxirri fëmijët jashtë tani”-tregoi gruaja. Familja 7 anëtarëshe doli nga banesa e tyre dhe njoftoi zjarrfikësit.

Pas kontrollit të këtyre të fundit, u zbulua se në banesë kishte prezencë të monoksidit të karbonit, një gaz vdekjeprurës. Rrjedhja kishte ndodhur në sistemin ngrohës të pishinës së familjes, e lidhur me banesën.

Një prej zjarrfikësve i tha çiftit se nëse djali i tyre nuk do t’i kishte njoftuar për alarmin, e gjithë familja me siguri do të kishte vdekur.

“Një prej zjarrfikësve më tha se nëse djali nuk do të kishte dëgjuar alarmin, do të kishit patur afro 30 deri në 40 minuta kohë…”-tregoi gruaja.

Monoksidi i karbonit është gaz pa erë dhe ngjyrë, shpesh i njohur si ‘vrarësi i heshtur’. “ Fatmirësisht djali kuptoi se diçka po shkonte keq dhe na zgjoi. S’mund të jem më shumë falenderuese sepse shpëtoi të gjithë familjen. Në fakt ai duhet të jetë në telashe sepse i thashë të flinte gjumë, por jam shumë e gëzuar që në këtë rast nuk më dëgjoi”-tha nëna e 10 vjeçarit.