23 vjeçarit i gjendet pistoletë në çantë gjatë kalimit në aeroportin e Rinasit

Një 23 vjeçar me origjinë nga Peja e Kosovës, është ndaluar nga autoritetet në aeroportin e Rinasit. Në çantën e tij u gjet një pistoletë të cilën 23 vjeçari e kishte fshehur brenda një tjetër çante. Arma u gjet gjatë skanimit të bagazhit në aeroport. I riu po nisej drejt Italisë.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Rinas, në bashkëpunim me shërbimet e Sigurisë në aeroportin e Rinasit, finalizuan operacionin policor të koduar “Skanimi”, në kuadër të të cilit u godit një tentativë për të trafikuar armë zjarri nga Shqipëria në Itali.

Gjatë këtij operacioni u kap në flagrancë dhe u vu në pranga, në dalje të Shqipërisë, shtetasi kosovar D. G., 23 vjeç, banues në Pejë.

Nga kontrolli nëpërmjet skanerit, në çantën e këtij shtetasi, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.”-njoftoi policia.