Po ndiqte Itali-Spanjë, legjenda e futbollit Roberto Baggio plagoset gjatë një grabitje në banesën e tij

Ikona e futbollit italian Roberto Baggio është plagosur gjatë një grabitje të dhunshme në vilën e tij në Viçenca, mbrëmjen e të enjtes. 5 persona të armatosur e maskuar i hynë në banesë teksa Baggio shikonte ndeshjen mes Italisë e Spanjës, rreth orës 22:05.

57 vjeçari u përlesh me njërin nga grabitësit, ndërsa një tjetër e goditi në fytyre më tytën e pistoletës, duke i shkaktuar një çarje të thellë në fytyrë.

Grabitësit mandej e kanë mbyllur Baggio-n në një prej dhomave të banesës së bashku me familjarët e tij. Grabitja zgjati afro 40 minuta, ndërsa ish futbollisti doli nga dhoma në momentin kur u sigurua se hajdutët ishin larguar.

Media italiane shkruajnë se grabitësit morën një sërë sendesh me vlerë, përfshi këtu bizhuteri, ora të shtrenjta dhe tjera objekte. Ende nuk dihet vlera totale e grabitjes.

Ish- futbollisti u dërgua më tutje në spital për të mjekuar plagët. Ngjarja bëri bujë të madhe në mediat ndërkombëtare. Zv.kryeministri italian Mateo Salvini reagoi  duke shprehur angazhimin e plotë të autoriteteve për zbulimin dhe prangosjen e grabitësve.