Kush ishte përgjegjës për kolapsin energjitik në 4 shtetet e rajonit? BE nis hetime të thelluara mbi rastin

Teksa termometri shënonte mbi 40 gradë celsius, e gjithë Shqipëria për afro 40 minuta mbeti pa energji elektrike të premten. Vendi ynë në fakt nuk ishte i vetmi, pas Mali i Zi, Bosnje- Hercegovina dhe një pjesë e mirë e Kroacisë, përjetuan të njëjtin “black out”.

Ngjarja e paprecedentë me shkëputjen masive të energjisë elektrike, do të jetë tanimë një çështje që do të hetohet në detaje nga ana e Bashkimit Europian.

Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), do të nisë hetimet dhe përcaktojë shkaqet që sollën shkëputjen e energjisë elektrike në 4 shtete.

 “Më 21 qershor,rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe në një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes te konsumatorët. Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”, thuhet në njoftimin e ENTSO.

Në Shqipëri, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) njoftoi ditën e premte se shkak dyshohej të ishte një defekt në linjën e interkoneksionit me Greqinë, i cili solli efekt kaskadë në të gjithë vendin. Veç defektit, temperaturat ekstreme ishin një faktor tjetër me peshë që sollën në mbingarkimin e sistemit.

Në Malin e Zi, Ministri i Energjisë atje deklaroi se ndërprerja u shkaktuar nga një rritje e madhe e konsumit të energjisë, për shkak të temperaturave të larta që kanë prekur të gjithë rajonin.

 “Dështimi ndodhi si rezultat i një ngarkese të madhe në rrjet, një rritje e papritur e konsumit të energjisë për shkak të temperaturës së lartë dhe vetë temperaturave të larta”, tha në një transmetim televiziv ministri malazez Sasha Mujovic.

Gjatë kohës së stakimit të madh të energjisë elektrike, mediat malazeze raportuan për një zjarr në një linjë transmetimi 400KË përgjatë kufirit me Boshnjen, megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ka qenë ky shkaku i ndërprerjeve.

Hetimi nga ENTSO pritet të zgjasë 6 muaj. Kolapsi momental mund të kishte goditur të gjithë Europën, pasi sistemet energjitike janë të lidhura mes tyre.

Një zyrtar kroat tha për median vendase se është ende herët për të dalë në konkluzionë në lidhje me përgjegjësitë, pa përfunduar hetimi i detajuar i Entit Europian.