Apeli lë në burg Fredi Belerin, ambasadorja greke: Ai është eurodeputet, duhet të shkojë në PE në korrik

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-kryebashkiakun e Himarës Fredi Beleri.

Ky i fundit u shpall i fajshëm për akuzën e korrupsionit në zgjedhje, një vendim tanimë i formës së prerë me verdiktin e apelit. Beleri do të vuajë 2 vite heqje lirie për akuzën për të cilën është gjetur i fajshëm, ndërsa bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi u dënua me 3 vite shërbim prove, kjo dhe për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Vendimi i sotëm është marrë nga treshja e gjyqtarëve Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara dhe Iliriana Olldashi.

Pas verdiktit ambasadorja e Greqisë në Tiranë Konstantina Kamitsi, tha se Beleri është eurodeputet dhe i duhet të paraqitet në Parlamentin Europian në muajin korrik.

“Për fat të keq shumë aspekte te kësaj çështje ngrenë pikëpyetje, sa i përket objektivitetit të procesit, siç është çështja e shkeljes së prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional dhe moslejimi i të drejtës së betimit. Më gjithë dëshirën e popullit të Himarës përmes procesit zgjedhor, bashkia drejtohet akoma edhe sot nga persona që nuk zgjedhur prej votuesve.

Beleri tashmë zyrtarisht është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është një kërkesë plotësisht demokratike që eurodeputetët të kenë mundësinë të paraqitet personalisht në të gjitha punimet e PE duke filluar që nga korriku”, tha ajo.

Beleri u arrestua më 12 maj të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale. Ai u akuzua për blerje të votave. Beleri fitoi zgjedhjet lokale në Himarë, por nuk u betua kurrë si kryebashkiak pasi qëndroi në paraburgim.

Çështja e arrestimit dhe qëndrimit të tij në paraburgim solli dhjetëra reagime nga ana e Greqisë, ndërsa muajin e kaluar qeveria e Mitsotakis vendosi emrin e tij në listën e garuesve për eurodeputet në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Beleri ishte një ndër fituesit, si përfaqësues i Greqisë në PE nën siglën e partisë ‘Demokracia e Re’ e Mitsotakis.