Ky është 52 vjeçari që ndërroi jetë në Sarandë, trupin e identifikoi i vëllai, ende mister dinamika e ngjarjes

Armandi Nelaj është viktima e identifikuar e shpërthimit që tronditi qytetin e Sarandës mbrëmjen e të hënës. 52 vjeçari ishte zhytur në ujë afro 100 metër larg portit të qytetit, kur për arsye ende të paqarta, një shpërthim i mori jetën.

Viktima pësoi gjymtime në pjesë të mëdha të trupit, ndërsa dyshimet e para çuan autoritetet të besojnë se një shpërthim i bombulës së oksigjenit mund të ketë sjellë aksidentin fatkeq.

Gjatë kërkimeve në gjirin e Sarandës, polumbarët e RENEA-s kanë mundur të gjejnë materiale të cilat po ashtu hapin dhe pistën e një shpërthimi me lëndë plasëse. Materialet në fjalë janë dërguar për ekspertizë në kryeqytet.

52 vjeçari ishte sipërmarrës ndërtimi prej afro 13 vitesh. Identifikimin e tij e bëri i vëllai, i cili denoncoi zhdukjen e të ndjerit tek autoritetet. Këta të fundit i kanë treguar foto dhe i afërmi e ka identifikuar 52 vjeçarin përmes një tatuazhi.

Përmes një njoftimi zyrtar, policia e qytetit të Sarandës njoftoi se Nelaj ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, teksa ishte në det pranë gomones së tij.

 “Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më datë 24.06.2024, informojmë se Komisariati i Policisë Sarandë referoi materialet në Prokurori, pasi në afërsi të Portit Detar Sarandë, dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e një shpërthimi, ndërkohë që notonte në det, pranë gomones së tij, shtetasi A. N., 52 vjeç, banues në Sarandë. Në vijim, pritet akti i ekspertimit për arsyen e shpërthimit. Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes”, bëri me dije policia.