Rasti i pazakontë, 34 vjeçari gjendet i gjallë 10 ditë pasi humbi në mal

Personi në foton e mësipërme mund të duket si një burrë në moshë të mesme, por është veçse 34 vjeçar. Luka Meklish arriti të mbijetojë për plot 10 ditë në një pyll në Santa Kruz të SHBA-ve. Ai ishte nisur në zonën malore për ngjitje, por pas tre orësh, e gjeti veten të humbur në pyll.

Familja raportoi zhdukjen e tij tek autoritetet të cilat nisën kërkimet. Pas ditësh kërkime, 34 vjeçari u gjet nga ekipet e kërkim- shpëtimit të cilët kishin dëgjuar të riun duke bërtitur për ndihmë.

Me t’u gjetur, 34 vjeçari tregoi se ishte nisur për ngjitje veçse me një palë pantallona dhe një kapele.

“Me vete kisha një dritë dhe një biçak. Kisha veshur një palë pantallona, këpucët për ngjitje dhe një kapele, kaq”-tregoi Meklish.

34 vjeçari kishte arritur të mbijetonte duke pirë afro 4 litra ujë në ditë në përrojtë e ujit që kishte gjetur. Përgjatë ditës ai lëvizte duke bërtitur për ndihmë, me shpresën se dikush do ta dëgjonte. Me kalimin e kohës mungesa e ushqimit solli pasoja në shëndetin e të riut. 34 vjeçari nuk u dorëzua dhe vijoi me rutinën duke thirrur për ndihmë, derisa në ditën e 10 të zhdukjes së tij u dëgjua nga një pjesëtar i ekipeve të shpëtimit, i cili e gjeti të riun në një kanion.

“Zërin e humba nga të bërtiturat. Ndihem i rraskapitur… por ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë. Me siguri për këtë vit nuk do të kem më nevojë të bëj ngjitje”-tha në intervistë për median amerikane 34 vjeçari.