Përleshje me thika në burgun grek, ndërron jetë 35 vjeçari shqiptar, plagoset një tjetër nga Kosova

Një përleshje me thika mes të burgosurve në burgun e Koridhalos në Greqi, ka sjellë vdekjen e një shqiptari dhe plagosjen e një tjetri.

Media grek raportoi se 35 vjeçari Alfond Ndoci ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me mjet të mprehtë. I plagosuri, shqiptar i Kosovës, është identifikuar si Altin Vokrri, 46 vjeçar.

viktima

Nga ajo që raportojnë media vendase, duket se sherri ka nisur për çështje të temperaturës dhe kondicionerit. ERT thotë se autor i krimit është një tjetër shqiptar, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të një tjetër shqiptari me të birin e tij 23 muajsh.

Konflikti është shuar nga forcat e rendit. Një hetim ka nisur për të zbardhur motivin dhe dinamikën e plotë të kësaj ngjarje.

Viktima, 35 vjeçari shqiptar Alfond Ndoci, ishte burgosur për vrasjen e një personi. Në vitin 2014, gjatë një grabitje në shtetin fqinj, Ndoci vrau pronarin e dyqanit që po grabiste.

Ndoci u arratis nga burgu në vitin 2018 së bashku me tre të dënuar të tjerë, por u arrestua sërish disa ditë më vonë.