Ngjarje e pazakontë në Valias: Porosisin online varësen 8 mln lekë, e grabisin më tutje me armë

Një grabitje ka ndodhur ditën e mërkurë në zonën e Valiasit, ku dy persona të maskuar e armatosur kanë grabitur një varëse floriri me vlerë 8 milionë lekë (të vjetra).

Grabitësit e kanë vjedhur varësen nga punonjësi i një argjendarie, i cili kishte shkuar për të dhënë objektin tek porositësi… pa e ditur se porositësit në fakt ishin grabitësit vetë.

Dinamika e ngjarjes

Punonjësi i argjendarisë Luis Balliu ka komunikuar me një person në rrjetet sociale, i cili i kishte kërkuar një varëse floriri. Pas komunikimit, porositësi i kishte thënë të vinte në një vend të caktuar për të marrë varësen e për të dhënë paratë.

Balliu ka njoftuar një mik të tij që punonte si oficer në komisariatin nr.4. Të dy me të mbërritur në vendin e lënë me porositësin, janë përballur me dy persona të maskuar dhe të armatosur. Një prej grabitësve ka qëlluar në ajër dhe më pas nën kërcënimin e armës ka marrë varësen.

Më tutje autorët janë larguar me makinë. Hetuesit kanë nisur punën për identifikimin e autorëve.