“Zoti më faltë, do votoja një gënjeshtar në vend të atij që duket se nuk është tamam aty mendërisht”

Në nëntor të këtij viti, populli amerikan shkon në kutitë e votimit për të zgjedhur Presidentin e tyre, një lider i cili në supet e tij mban një peshë të jashtëzakonshme. Në këto zgjedhje, dy janë kandidatët. Presidenti aktual Joe Biden, 81 vjeçar dhe kundërshtari i tij, ish Presidenti Donald Trump, 78 vjeçar.

Në orët e mbrëmjes u mbajt i pari debat mes të dyve, zhvilluar nga CNN. Debati ishte i gjatë, mbi një seri çështjesh me peshë për të gjithë globin dhe i mbushur me gafa e akuza të ndërsjellta mes Biden e Trump.

Pas përfundimit të debatit të tyre, tanimë një debat tjetër është hapur… kush e fitoi përballjen?

Reuters i ka kushtuar një artikull debatit, duke zgjedhur të pyesë disa votues amerikanë, të cilët kanë qenë të pavendosur se kujt do t’ja japin votën. Reuters ka biseduar me ta para debatit dhe më pas i ka pyetur qytetarët pas përfundimit të përballjes Biden-Trump, për të mësuar se kë do të votonin.

Reuters shkruan se nga 13 të pavendosurit me të cilët bisedoi e pyeti, dhjetë prej tyre e përshkruan performancën e Presidentit Biden si të dobët, të hutuar, të sikletshme dhe të vështirë për t’u shikuar.

Gina Gannon, 65 vjeçe, nga shteti i rëndësishëm për zgjedhjet në SHBA, Georgia, e kishte votuar Trumpin më 2016, ndërsa Bidenin më 2020.

“Joe Bideni u duk shumë i dobët dhe i hutuar që nga fillimi. Më shqetëson [fakti] që armiqtë tanë  e shohin Joe Biden-in në këtë gjendje. Isha e shokuar dhe e zhgënjyer. Urrej që ta shoh presidentin tonë duke vepruar në atë mënyrë në televizion dhe para botës. Absolutisht do ta votoj Donald Trump-in tani” – tha ajo.

Reuters shkruan se në tërësi debatet televizive presidenciale kanë ndikim të kufizuar te votuesit, por duke parë se Biden e Trump janë në një garë të ngushtë, zgjedhjet dhe mbase veçse disa mijëra vota në shtete kyçe, do të bëjnë diferencën.

Shtatë prej nëntë votuesve që ishin të zhgënjyer me performancën e Bidenit i thanë agjencisë “Reuters” se tani priren për ta votuar Trump-in, sepse nuk besojnë më se Biden-i mund t’i kryejë detyrat si president.

Tre prej tyre thanë se përfundimisht, do ta votojnë Trump-in në zgjedhjet e 5 nëntorit edhe pse, dy prej tyre, thanë se nuk u pëlqen ish Presidenti.

Meredith Marshall, 51 vjeçe, që jeton në zonën e Los Angelesit dhe është e vetëpunësuar, tha se debati mes dy kandidatëve e la të shokuar.

“Zoti më faltë, nëse zgjedhjet e mia janë ashtu siç qëndrojnë tani, duke u mbështetur në këtë debat. Lehtësisht do të votoja një gënjeshtar dhe një të dënuar para një personi që nuk duket se është tamam aty mendërisht” – tha ajo.

Çfarë katastrofe për demokratët” – tha Scott Harrington, 63 vjeç, shitës peshku në Massachusetts, pasi e shikoi debatin.

“Unë në parim isha i pavendosur, por po shpresoja që Bideni do të kishte qenë mjaftueshëm i mirë që ta votoja. Nuk më pëlqen Trumpi hiç. Isha i brengosur se Bideni do të tregonte se nuk është i aftë për postin, por ai ishte edhe më keq sesa mendoja. Mundem thjesht të abstenoj” – shtoi ai.

Sidoqoftë, nuk ishte gjithçka keq për Biden, shton më tutje Reuters.

Ashley Altum, menaxhere 28-vjeçare e kujdesit shëndetësor  në Karolinën e Jugut kishte mëdyshje mes Bidenit dhe një kandidati të tretë para debatit. Tani ajo priret më shumë për ta votuar Bidenin.

Ajo tha se ishte e kënaqur me përgjigjet e Bidenit, duke marrë parasysh se ai ishte më i gatshëm se Trumpi për t’i adresuar pyetjet drejtpërdrejt.

Së fundmi, Reuters shton se sipas një sondazhi, afro 20% e votuesve në Amerikë thonë se nuk kanë zgjedhur asnjë prej kandidatëve, duke anuar më shumë tek një alternativë e tretë ose moshkuarja në votim.