“Joe Biden është një burrë dhe politikan i mirë, ai duhet të dorëhiqet nga gara”

Një nga analistët më në zë në New York Times, Thomas Friedman, shkroi një opinion pas debatit mes dy kandidatëve për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Friedman ftoi mikun e tij, Presidentin Joe Biden, që t’i lërë vendin kandidatëve të tjerë, duke thënë se Bidenin e ka mik, se ai është një politikan dhe burrë i mirë, porse tanimë ka ardhur koha që të tërhiqet.

Më poshtë opinion i Friedman, shkruar në New York Times

“Joe Biden është burrë dhe politikan i mirë, por ai duhet të dorëhiqet nga gara”

Pashë debatin Biden-Trump i vetëm, në një dhomë hoteli në Lisbonë (Portugali) dhe më erdhi të qaj. Nuk mundem të kujtoj në të gjithë jetën time një moment më të trishtë në fushatat zgjedhore presidenciale amerikane, pikërisht për atë që ky debat nxorri në pah: Joe Biden, një burrë i mirë, një President i mirë, nuk ka përse të kandidojë për një mandat të dytë. Donald Trump, një njeri i lig dhe një President i rëndomtë, nuk ka mësuar asgjë dhe nuk ka harruar asgjë. Ai është po i njëjti gënjeshtar që ka qenë, i obsesionuar me përçarjet, aspak afër asaj që i duhet Amerikës për të udhëhequr në shekullin e 21-të.

Familja Biden dhe skuadra e tij politike, duhet të mblidhen me shpejtësi dhe të bëjnë diskutimin më të vështirë me Presidentin, një diskutim të dashurisë, qartësisë dhe zgjidhjes. Për t’i dhënë Amerikës shansin e saj më të madh për të mënjanuar kërcënimin e Trumpit në Nëntor, Presidenti duhet të dalë përpara dhe të deklarojë se ai nuk do të kandidojë për rikandidim.

Partia Republikane, nëse liderët e tyre do të kishin patur një fije dinjitet, do të duhej të kishin kërkuar të njëjtën gjë, por ata nuk do ta bëjnë. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm faktin se demokratët duhet të vendosin interesat e vendit përpara dhe të shpallin në një proves publik për një kandidat tjetër për President. Po. Do të jetë kaotike dhe një mesele kur Konventa e Demokratëve të nisë më 19 gusht në Çikago, por mendoj se kërcënimi i Trumpit është i mjaftueshëm i rëndë, aqsa delegatët do të bashkoheshin shpejt përreth një emri konsensual.

Nëse zëvendës Presidentja Kamala Harris do të garojë, ajo duhet ta bëjë këtë. Por votuesit meritojnë një proces të hapur në kërkim të një emri që do të bashkojë jo vetëm partinë por edhe vendin, duke ofruar diçka që asnjë prej atyre dy burrave (Biden-Trump) nuk ofruan të enjten mbrëma: një përshkrim të bindshëm se ku është bota tani, një vizion tërheqës për atë se çfarë ka mundësi dhe duhet të bëjë për të drejtuar, moralisht, ekonomikisht dhe diplomatikisht.

Sepse ky nuk është një moment i parëndësishëm në histori. Ne jemi përballë pikënisjes së përçarjeve më të mëdha teknologjike e klimaterike të historisë njerëzore. Jemi në prag të agimit të revolucionit të inteligjencës artificiale e cila do të ndryshojë GJITHÇKA PËR TË GJITHË- sesi ne do të punojmë, sesi do të mësojmë, sesi do të tregtojmë, shpikim, bashkëpunojmë, sesi do të luftojmë, sesi do të kryejmë krime dhe sesi do të luftojmë krimet.

Mbase e humba, por nuk dëgjova asnjë frazë për ‘inteligjencën artificiale’ nga asnjëri prej të dyve në debat.

Nëse ka patur ndonjëherë ndonjë kohë kur botës i është dashur një Amerikë në më të mirën e saj, e drejtuar nga më i miri, ajo kohë është tani- sepse rreziket e mëdha dhe oportunitetet janë tanimë përballë nesh. Një Biden më i ri do të mund të kishte qenë ai lider, por koha tanimë ka bërë të vetën. Dhe kjo ishte dhimbshëm dhe paevitueshmërisht e dukshme të enjten.

Biden ka qenë një mik i imi qëkur së bashku udhëtuam në Afganistan e Pakistan më 11 shtator 2001, kur ai ishte drejtuesi i Komitetit të Senatit për Çështjet e Jashtme, kështuqë të gjitha këto që them, i them me trishtim të madh.

Por nëse ai ndalon tani, duke pranuar se për shkak të moshës ai nuk është më i aftë për një mandat të dytë, mandati i tij i vetëm dhe i parë, do të mbahet mend si një ndër më të mirët në historinë tonë. Ai na shpëtoi neve nga një fitore e njëpasnjëshme e Trump dhe vetëm për këtë, ai meriton medaljen presidenciale të Lirisë. Ai po ashtu solli legjislacion të rëndësishëm dhe domethënës për revolucionet e teknologjisë e klimës, që tanimë janë në derën tonë.

Kam qenë i gatshëm të lëshoja deri më tani për Bidenin, sepse në kohët kur u angazhova me të një më një, e gjeta të aftë për punën. Po ai tani dukshëm nuk është më. Familja dhe stafi i tij do duhet ta kenë ditur. Ata janë ngujuar në Kampin Dejvid për t’u bërë gati për këtë debat të rëndësishëm prej ditësh tashmë. E nëse kjo ishte më e mira performancë që ata mundën të prodhojnë, ai (Biden) duhet të ruajë dinjitetin e tij dhe të largohet nga skena në fund të këtij mandati.

Nëse ai e bën këtë, amerikanët e thjeshtë do ta mbajnë mend Joe Bidenin si njeriun që bëri atë që Donald Trump kurrë nuk do të mund të bënte… të vendosë vendin përpara vetes.

Nëse ai insiston të vijojë dhe humb garën me Trumpin, Biden dhe familja e tij si dhe stafi e anëtarët e partisë që e mundësuan, nuk do të munden më të kenë fytyrë.

Ata meritojnë më mirë. Amerika ka nevojë për më mirë. Bota ka nevojë për më mirë.

Burimi: New York Times/ Përktheu: Fch.al