Ndahet nga jeta Ismail Kadare, xhevahiri i letërsisë shqipe

Largohet nga kjo botë Ismail Kadare, xhevairi i letërsisë shqiptare. Ngjarja e trishtë ndodhi këtë të hënë në mëngjes (1 korrik). Kolosi i letërsisë u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm.  Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ai fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej nga qeveria komuniste e diktatorit Enver Hoxha. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare. Romani u vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.

Ismail Kadare ishte laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca. Në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku emri i tij ishte rreshtuar krahas shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj.

Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët: “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”.

Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.

“Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”.