“Dritë vezulluese në ditët më të errëta të Shqipërisë” Çfarë shkruan media huaj për Kadarenë

“Ismail Kadare: Një dritë e shndritshme në ditët më të errëta të Shqipërisë”. Kështu e titullon shkrimin e saj Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), e cila i ka kushtuar një artikull të gjatë largimit nga jeta të shkrimtarit të madh Ismail Kadare.

Kadare jetoi një pjesë të mirë të jetës së tij në Francë.

“Tregimtaria e tij e sofistikuar, shpesh herë e përngjashme me atë të George Orëell apo Franz Kafkës, përdorte metaforën dhe ironinë për të nxjerrë në pah natyrën e tiranës nën sundimin e diktatorit Enver Hoxha, i cili drejtoi Shqipërinë nga ’46 deri në vdekjen e tij në vitin 1985”-shkruan AFP-ja.

“Kohët e errëta sjellin gjëra të pakëndshme por dhe surpriza të bukura. Letërsia ka prodhuar shpesh herë punë të shkëlqyera në kohë të errëta, sikur të ishte duke tentuar shërimin e fatkeqësive të rëna mbi njerëzit”-thoshte Kadare në një intervistë të dikurshme me AFP-në.

AFP-ja vë në dukje se shpesh herë emri i Kadaresë ishte lakuar për çmimin Nobel në Letërsi. Më tutje artikulli vë në dukje aftësinë e shkëlqyer të shkrimtarit të ndjerë, për të nxjerrë në pah mitet, historinë e Shqipërisë, por edhe disektimin e mekanizmit të totalitarizmit të ish regjimit komunist.

Le Monde po ashtu i ka kushtuar një artikull shkrimtarit 88 vjeçar, që ndërroi jetë këtë të hënë në Tiranë.

“Ishte novela e tij e parë, Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, publikuar më 1963 në Shqipëri dhe më pas 7 vite më vonë përkthyer në Francë nga Albin Michel, ajo që i solli atij famën, duke e kthyer atë menjëherë, në një prej shkrimtarëve më të rrallë shqiptarë të njohur botërisht.”-shkruan media franceze Le Monde.

Reuters po ashtu ka shkruar mbi vdekjen e Kadaresë. Corriere dhe tjera media në zë në Italinë fqinje, i kanë kushtuar artikuj vdekjes së ‘gjeneralit’ të letërsisë moderne shqipe.

“Vdes Ismail Kadare, zëri i Shqipërisë dhe historisë së tij”-shkruan ndër të tjera Corriere.