Arrestohet ish-Ministri Shëndetësisë Ilir Beqaj, momenti kur përcillet i prangosur nga policia

Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është prangosur nga policia e kryeqytetit këtë të enjte, për llogari të Prokurorisë së Posaçme. Arrestimi u krye në mëngjes pas një urdhër-arresti të konfirmuar në mungesë nga ana e Gjykatës së Posaçme e cila miratoi kërkesën e organit të akuzës (SPAK).

Këto janë dhe momentet kur Beqaj shihet i prangosur duke hyrë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

SPAK e ka konfirmuar arrestimin përmes një reagimi të shkurtër për median.

“Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se sot është kryer arrestimi i këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për një informacion më të plotë, SPAK do të vijojë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp”.

Ish-Ministri i Shëndetësisë është hetuar prej disa muajsh tanimë nga ana e SPAK për një sërë koncesionesh, veçanërisht për atë të sterilizimit dhe mjeteve spitalore.

Arrestimi i Beqajt është kryer në lidhje me një hetim për abuzime të disa fondeve të BE-së. Fondet në fjalë menaxhoheshin nga agjencia SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila për një periudhë 1 vjeçare është drejtuar nga Beqaj.

Ka dyshime se ish- ministri ka abuzuar me fondet, duke prerë fatura fiktive për aktivitete që nuk kryheshin. Veç Beqajt janë lëshuar urdhër-arreste dhe për persona të tjerë, të cilët besohet se janë bashkëpunëtorë të Beqajt. Veç aktiviteteve e faturave fiktive të lëshuara nga SASPAC, veçohet edhe një faturë fiktive e lëshuar nga një restorant (që dyshohet në pronësi të Beqajt) për shërbime kateringu me vlerë 40 mijë euro.

Nga përgjimet e SPAK dyshohet se administratori de fakto i restorantit në fjalë ishte pikërisht Ermal Kurtulaj, vartësi i Ilir Beqajt në SASPAC. Kurtulaj së bashku me një tjetër bashkëpunëtor, Alfred Nikolla, janë arrestuar gjithashtu.

Ndërkaq, masat e sigurisë “arrest në shtëpi”, janë caktuar për  Gazmend Haxhia dhe Elton Marini ndërsa “detyrim paraqitje” është vendosur për Bledar Leka dhe Bjona Zijaj.