A po shkojnë demokratët drejt zëvendësimit të Joe Biden? Në ‘skenë’ del Michelle Obama

Deri në ditën kur në Amerikë votohet se cili do të jetë lideri më i pushtetshëm i planetit, na ndajnë veçse 17 javë. Por gara presidenciale në Shtetet e Bashkuara mes Joe Biden e Donald Trump, ka hyrë në një fazë tejet delikate. Kjo sepse paraqitja dhe në thelb shëndeti i Presidentit aktual të SHBA-ve, po vihet në diskutim serioz.

Pas paraqitjes së dështuar në debatin televiziv me Donald Trump, zërat për tërheqjen e Biden nga gara për një mandat të dytë, veçse janë shtuar. Aqsa tanimë, në çdo media amerikane flitet prej ditësh për emrat e mundshëm që mund të dalin në garë përballë Donald Trump.

Nju Jork Times shkruan se Joe Biden ka folur me një të besuar të tijin, të cilit i ka thënë se po e “e vlerëson mundësinë për të qëndruar apo jo në garë”. Ky ishte dhe kryeartikulli i të mërkurës në Nju Jork Times, i cili shumë shpejt u përgënjeshtrua nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky është një pretendim absolutisht i pavërtetë” tha zëdhënësi i lartë Andrew Bates.

Por në artikullin e Nju Jork Times, i besuari i Biden i cili foli në kushtet e anonimatit, i tha gazetës se “Biden e di mirë se, nëse i ka edhe dy debate tjera si i pari, ne do të jemi në një tjetër vend”

Me fjalë të tjera, i besuari i Biden vuri në dukje se nëse debatet e ardhshme do të jenë një katastrofë si i pari debat, shanset janë se demokratët do të humbin.

Lexo edhe: “Joe Biden është një burrë dhe politikan i mirë, ai duhet të dorëhiqet nga gara”

Zyrtarisht Biden thotë të kundërtën e asaj që raporton media. Së fundmi ai doli në një prononcim për median nga ku tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe se ai do të jetë kandidati për zgjedhjet e nëntorit në kampin demokrat.

 “Unë jam kandidati i Partisë demokrate. Askush s’po më detyron të iki. Dhe unë nuk largohem”, ka thënë ai, siç ka raportuar së fundmi BBC-ja.

Por pavarësisht këtyre deklaratave, duket se shumëçka po lëviz pas kuintave. Associated Press po ashtu ka raportuar përmes burimeve të saj në Shtëpinë e Bardhë, të cilat i kanë thënë se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e Biden dhe garën e tij presidenciale për mandatin e dytë.

Në të tilla kushte, qytetarët, analistët e vetë demokratët në Parti kanë nisur një debat të ethshëm… nëse Biden tërhiqet nga gara, cili do të jetë zëvendësuesi?

I pari emër që vjen ndërmend është ajo e zv.Presidentes Kamala Harris. Por duket një kandidaturë e Harris nuk është opsioni i preferuar nga palët, kjo për faktin se në sondazhet e kryera zv.Presidentja performon më keq se vetë Biden, në përballjen e nëntorit me Trump.

Një emër që po lakohët shumë e më shumë është ajo e bashkëshortes së ish-Presidentit Barack Obama, Michelle Obama. Sipas sondazheve të kryera nga Ipsos, Michelle Obama performon mirë përballë votuesve demokratë si dhe se ka shanse për të fituar ndaj Donald Trump.

Nga ana tjetër, vetë Michelle Obama ka deklaruar më parë se ajo nuk preferon të garojë për Presidente. Veç saj, të shumtë janë emrat e tjerë që duket se janë përfshirë “në garë” për një kandidim të mundshëm në rast të largimit të Biden.

Cilët janë skenarët

I pari skenar që mund të konsiderohet është nëse Joe Biden tërhiqet me vullnetin e tij, një skenar që deri më tani nuk ka ndodhur. Varianti tjetër, me më pak gjasa,  ka të bëjë me orvatjen për ta nxjerrë nga gara Bidenin.

Nëse diçka e tillë do të ndodhë, varianti i parë është më i mundshmi. Biden zgjedh të dorëhiqet, një akt të cilin ai do të duhej ta kryejë përpara muajit gusht, kohë kur do të zhvillohet Konventa Kombëtare e Demokratëve për zgjedhjen e kandidatit për Presidentit. Pavarësisht se konventa është më datat 19-22 gusht, demokratët do të shpallin zyrtarisht emrin e kandidatit që më 7 gusht, për shkak të disa çështjeve politiko-ligjore në Ohajo të Shteteve të Bashkuara.

Nëse Biden zgjedh të dorëhiqet përpara gushtit, atëherë procesi në parim do të ishte i thjeshtë. Një tjetër kandidat do të përzgjidhet dhe me marrjen e bekimit të Partisë Demokratike e delegatëve në Koventë, ai/ajo do të shpallej kandidati për zgjedhjet e nëntorit.

Skenari dytë, a mundet që Bidenin ta nxjerrin nga gara? Kjo ndodh vetëm nëse delegatët të cilët tashmë e kanë shprehur mbështetjen e tyre për Presidentin, ndryshojnë votat e tyre. Shumica dërrmuese e delegatëve e kanë shprehur tanimë mbështetjen e tyre për Biden dhe që të ndodhë skenari i largimit të tij nga kandidimi, të paktën gjysma e delegatëve do të duhet të tërhiqen nga vota pro Biden. Historikisht, nuk ka një precedent të tillë, ku delegatët e një partie heqin nga gara Presidentin që kandidon për një mandat të dytë.