Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në komunitetin e San Severino Markes në Italinë fqinje, atje ku një i ri me origjinë nga Shqipëria ka humbur jetën.
Amarildo Dedja punonte në një kantier ndërtimi, kur ka rënë nga skela nga një distancë e konsiderueshme.
30 vjeçarin e solli në punë me makinë e ëma, pa e ditur se ai takim do të ishte i fundit që do të kishte me të birin.
Në vendin e ngjarjes mbërritën mjekët e urgjencës, por për 30 vjeçarin kishte mbaruar çdo gjë. I riu ndërroi jetë në vendngjarje si pasojë e rënies nga 10 metra lartësi.
Hetuesit kanë nisur punën për të zbardhur rrethanat e vdekjes së të riut. Media italiane shkruan se deri më tani dy janë pistat e mundshme, ajo e një aksidenti fatkeq, ndërsa tjetra, pista e vetëvrasjes.
Amarildo njihej në komunitet, pasi prej vitesh luante si mesfushor në kampionatin amator të zonës.