Që prej ditës së shtunë e deri këtë të hënë, mbi 90 qytetarë janë paraqitur në spitalin e Bulqizës me shenja të helmimit.
Dyshimet mbi ujin kanë çuar autoritetet përkatëse të kryejnë analizat. I pari kontroll ka rezultuar i rregullt, ndërsa këtë të hënë në orët e pasdites, dalin përgjigjet e analizës së thelluar të ujit.
Personat që janë paraqitur në spital kanë patur shenja të vjellash, dhimbje barku apo diarre. Mbi rastin ka folur prefekti i qarkut të Dibrës Nexhbedin Shehu, i cili thotë se nga e shtuna janë paraqitur në spital mbi 90 persona.
“Nga e shtuna ka fluks të shtuar e njerëzve të cilët paraqiten me simptoma diarreje dhe të vjella. Shenjat janë të lehta sipas mjekëve, bëjnë një serum dhe më pas largohen. Por fluksi është i shtuar. Këto ditë ka mbi 30 raste paraqitjeje. Numri i personave që kanë kërkuar ndihmën mjekësore ka shkuar mbi 90 persona. Analizat të cilat iu bënë ujit kanë dalë mirë. Megjithatë ka gjeografi përtej Bulqizës. Është në hetim e ende po presim përgjigjen e një analize të thelluar. Gjej rast ti bëj thirrje popullatës të bëjnë kujdes, ta ziejnë ujin apo të përdorin ujë të blerë deri në daljen e përgjigjes së analizës. Del mbrëmjen e sotme”, u shpreh ai.
Mjeku Shanin Kaja po ashtu ka folur për median, duke thënë se deri më tani nuk duket se kemi të bëjmë me një rast të helmimit masiv nga uji i pijshëm.
“Deri tani kjo situatë na lë të kuptojmë se është një shkak viral sepse nuk ka pasur as edhe ndonjë festë. Edhe dita se sotme ka pasur fluks po për të njëjtën situatë. Mund të them me përgjegjësi se nuk besoj të jetë nga uji. Por theksoj gjithashtu se kemi të bëjmë edhe me ujësjellësa në zona të ndryshme”, tha mjeku.