Pas përfundimit të rrugëtimit të kuqezinjve në Europian (humbja me Spanjën më 24 qershor), kombëtarja dhe trajneri Silvinjo erdhën në Shqipëri më 25 qershor.
Trajneri Silvinjo u largua më datë 27 nga Tirana për pushime, duke njoftuar se do të kthehej pas një jave, me gjasë për të diskutuar mbi kontratën e tij.
Por deri më tani, Silvinjo vijon të ndodhet me pushime në Porto, ndërsa nga kjo e martë (9 korrik), zyrtarisht kontrata e tij me kombëtaren e Shqipërisë ka përfunduar.
Ende mbetet mister nëse trajneri brazilian do të rinovojë me kombëtaren shqiptare, apo nëse është në pritje e kontakt me të tjera skuadra. Më herët gjatë europianit, pati zëra se Silvinjo kishte patur oferta të tjera. I pyetur në atë kohë, trajneri i shmangu apo i refuzoi pyetjet për çështjen e rinovimit të kontratës, duke e mbajtur fokusin e mesazheve të tij tek përballjet e Shqipërisë në grup.
Me gjasë edhe kjo javë do të kalojë pa ndonjë lajm të ri, pasi edhe Presidenti i FSHF-së e njëkohësisht zv.Presidenti i UEFA-s Armando Duka, ndodhet ende në Gjermani në ndjekje të tre ndeshjeve të fundit të Euro24.
Mbetet për t’u parë tanimë, nëse trajneri Silvinjo do të kthehet në Shqipëri për të treguar se ka gjetur një ekip tjetër, apo nëse do të vijojë të drejtojë kombëtaren kuqezi.