Përfundon pjesa e parë e përballjes Spanjë- Francë, ‘La Roja’ në avantazh 2-1

Një gjysëmfinale spektakolare kjo mes Francës e Spanjës. 45 minutat e para përfunduan me dy skuadrat të cilat luftuan në çdo metër të fushës. Spanja arriti të dalë në krye në këtë pjesë të parë, me rezultatin në favor të saj.

GOLAT

Të parët që shënuan ishin francezët. Një asist perfekt i Mbappe-s në minutën e 8’ u përkthye në gol nga ana e Kolo Muani i cili çoi topin në portë përmes goditjes me kokë.

Por Spanja nuk kishte ndërmend të dorëzohej. Në minutën e 21’, 16 vjeçari Lamine Yamal realizoi një gol spektakolar me një të majtë perfekte jashtë zonës së rreptësisë.

Spanja vijoi të shtojë presionin në gjysëmfushën e ‘gjelave’ dhe brenda 4 minutave arriti të marrë golin e avantazhit. Olmo arriti të depërtojë në të djathtë të zonës së rreptësisë, duke lëshuar një goditje të fortë drejt portës. Mbrojtësi francez Kounde tentoi të spastrojë, por topin e çoi në portën e tij. Gjyqtarët ia atribuan golin Olmos.