Spanjollët kanë arritur të dalin fitimtarë në përballjen me Francën, duke u shpallur të parët finalistë në këtë kampionat europian.
Një ndeshje që spektaklin e dhuroi në 45 minutat e para me tre gola të shënuar, ndërsa pjesa e dytë, me gjithë orvatjet e Francës për të barazuar, përfundoi me porta të paprekura.
Tanimë kanë mbetur veçse dy ndeshje në këtë Euro24. Nesër Anglia përballet me Holandën, ndërsa më 14 korrik (e dielë) zhvillohet finalja.
GOLAT
Të parët që shënuan ishin francezët. Një asist perfekt i Mbappe-s në minutën e 8’ u përkthye në gol nga ana e Kolo Muani i cili çoi topin në portë përmes goditjes me kokë.
Por Spanja nuk kishte ndërmend të dorëzohej. Në minutën e 21’, 16 vjeçari Lamine Yamal realizoi një gol spektakolar me një të majtë perfekte jashtë zonës së rreptësisë.
Spanja vijoi të shtojë presionin në gjysëmfushën e ‘gjelave’ dhe brenda 4 minutave arriti të marrë golin e avantazhit. Olmo arriti të depërtojë në të djathtë të zonës së rreptësisë, duke lëshuar një goditje të fortë drejt portës. Mbrojtësi francez Kounde tentoi të spastrojë, por topin e çoi në portën e tij. Gjyqtarët ia atribuan golin Olmos.