Zjarret në Dropull e Finiq shkrumbojnë qindra hektarë, dy avionë nga Greqia vijnë në ndihmë

Zjarret në zonat e Dropullit e Finiqit vijojnë ende të mbeten problematike. Deri më tani janë djegur dhjetëra hektarë tokë, ndërsa shënohet këtë të mërkurë e treta ditë e orvatjeve për të shuar të gjitha vatrat. Në mëngjes dy avionë “Canadair” nga Greqia kanë ardhur në ndihmë të shuarjes së flakëve, përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Zjarri nisi mbrëmjen e të dielës në fshatin Fshatran (Dropull) dhe shumë shpejt u përhap në tjera zona përreth fshatrave tjerë pranë (Pecë, Muzinë e Kardhikaq). Flakët rrezikonin dhe pyllin në zonën e mbrojtur të Syrit të Kaltër.

Për vatrën në Fshatran u arrestua një 39 vjeçar, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr në pyllin e fshatit.

Këtë të mërkurë problematike mbeten ende vatrat në Finiq, ndërsa në Dropull situata është përmirësuar.

Situata më e rënduar është mbi fshatin Kardhikaq në kufi me Delvinën, ku po hidhet ujë nga avionët e ardhur nga Greqia, për të mbajtur larg rrezikun për banesat.

Ditën e martë dy zjarrfikës mbetën të lënduar teksa orvateshin për të shuar flakët. Fatmirësisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën.