“Ju lutem hajdeni, babai po rreh mamin e vëllezërit” Itali: 13 vjeçari shqiptar shpëton familjarët

Telefonata e një të mituri shqiptar në polici ka qenë shpëtimi për një familje të tërë në Çitanova të Italisë fqinje.

Media vendase raporton se 13 vjeçari ka marrë në telefon policinë dhe mes lotëve u ka treguar karabinierëve të vijnë sa më parë në shtëpinë e tij pasi i ati po godiste nënën e dy vëllezërit e tij.

“Hajdeni ju lutem, babai po rreh mamin dhe dy vëllezërit e mi” u ka thënë autoriteteve në telefon i mituri. Kaq ka mjaftuar që një patrullë e karabinierëvë të vijë me urgjencë në banesën e familjes shqiptare, e të arrestojë në flagrancë kryefamiljarin 47 vjeçar, i cili akuzohet se veç të shoqes e djalit 16 vjeçar, ka rrahur dhe djalin 2 vjeç.

Siç raporton media italiane, 13 vjeçari ka arritur të marrë në telefon policinë fill pasi është rrahur nga i ati i cili mandej kishte shkuar të godiste të shoqen dhe dy fëmijët  e tij të tjerë.

13 vjeçari ka dalë nga shtëpia dhe është takuar në ambientet poshtë pallatit me patrullën. Në gjëndje të tronditur dhe duke qarë, i mituri i ka treguar oficerëve apartamentin. Patrulla i ka ardhur në ndihmë gruas dhe dy fëmijëve të tjerë, dhe më pas ka arrestuar 47 vjeçarin, i cili ulëriste në njërën nga dhomat e apartamentit.

Nëna dhe fëmijët janë dërguar në spital dhe pasi kanë marrë kurim nga mjekët, janë lënë të lirë.  Rezulton se kjo nuk ishte e para herë që kryefamiljari ushtronte dhunë ndaj të shoqes e tre fëmijëve. Para hetuesve ai ka pranuar fajin dhe ka treguar se më parë është shtruar në psikiatri për shkak se vuan nga depresioni.

Pavarësisht diagnozës, media italiane shkruan se 47 vjeçari shqiptar refuzonte të merrte mjekim pasi sipas tij, barnat e bënin të ndihej më keq. Gjykatësi ka vendosur masën e arrestit me burg për 47 vjeçarin, deri në përfundim të hetimeve.