Çdo gjuajtje është gol… 2 vjeçari nga Kosova bëhet ‘star’ në rrjetet sociale

“Edhe pse llogaria në rrjetin social ‘instagram’ është veçse 2 javëshe, videot e tij po klikohen miliona herë.”

Kështu shkruan media gjermane RTL në një artikull të dedikuar për një vogëlush nga Kosova, i cili është bërë viral në rrjetet sociale falë aftësisë së tij të pabaesueshme për të shënuar gola. Luani është veçse 2 vjeç dhe rrallëherë nuk shënon gola nga goditjet e dënimit.

RTL shkruan se babai i Luanit, Labinot Hasani, vuri re se i biri kishte dëshirë të godiste topin sapo nisi të ecë.

“Nga koha që djali nisi të vrapojë, e para gjë që bëri ishte të godiste topin. Si një ish-futbollist, mu duk diçka e pazakontë. S’mund të ishte normale. Nisa të këkoj në google… kishte disa. Por unë kurrë nuk kam parë dikë në botë si im bir”-tregon babai i 2 vjeçarit për RTL-në gjermane.

Të shumtë janë ata që pasi kanë parë videot, besojnë se Luani vogël do të bëhet futbollist. Mes ‘fansave’ të tij, ka edhe figura të njohura botërore si aktorja Sharon Stone dhe Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino.

Ky i fundit madje, postoi një video të Luanit teksa shkruante “Sporti ynë i mrekullueshëm i mirëpret të gjitha moshat. Është kënaqësi të shohësh gjeneratën e ardhshme”.

Babai i Luanit i thotë RTL-së se e ka patur ëndërr të shikonte të birin të luante futboll, një ëndërr që vetë ai e ndoqi për vite. Luani luan thuajse çdo ditë me të atin.