Zjarret në Shqipëri: Pranga dy ‘piromanëve’, dhjetëra ha të djegur në veri, situatë problematike në Vlorë

Situata me vatrat e zjarreve në vend vijon ende të mbetet shqetësuese, ndërsa Ministria e Mbrojtjes njofton se deri më tani ka arritur të shuajë 17 vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit.

Që prej ditës së djeshme po punohet për të shuar flakët që u përhapën në fshatin Zogaj në Tropojë. 100 forca të armatosura i janë bashkuar orvatjeve të zjarrfikësve për të ndaluar flakët, përfshi këtu edhe efektivë të ardhur nga Kosova.

Të tjera vatra zjarri në veri të vendit janë ato në fshatin Malecaj e Torovicë, ku janë angazhuar po ashtu autoritetet e pushtetit vendor dhe efektivët e ushtrisë.

“Prej ditës së djeshme vijon puna nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj të bashkisë Tropojë. 100 Forca të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve të nisura prej dje, të forcave dhe kapaciteteve operacionale të pushtetit vendor të mbështetura nga 3 helikopterët e KFOR bashke me një ekip nga Kosova. Falë këtyre përpjekjeve është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.

Po ashtu puna e forcave operacionale ka bërë që të shmanget kalimi I flakëve drejt banesave në vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë, ku gjithashtu janë angazhuar në ndihmë të pushtetit vendor efektivë të FA.”-njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Në jug të vendit, në Vlorë, një situatë tepër problematike paraqitet tek zona e vendgrumbullimit të mbetjeve të qytetit, ku sërish ka vatra zjarri. Tymi i ardhur prej djegies së plehrave është kthyer në një problem serioz për banorët e zonës dhe cilësinë e ajrit në qytet.

“Po punohet nga frocat në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten, Vau Dejës, në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës. U bëjmë thirrje për angazhimin maksimal për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri të gjitha institucioneve dhe strukturave të sistemit të mbrojtjes civile si dhe qytetarëve që të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për cdo problematikë.”-njofton Ministria e Mbrojtjes.

Këtë të premte policia prangosi dy persona në dy fshatra të Kavajës e Rrogozhinës, të cilët kishin ndezur flakë që rrezikuan një sërë banesash dhe shkrumbuan të mbjella me ullinj e pemë frutore. Në pranga ranë një 60 vjeçar, banues në fshatin Zigxhafaj në Kavajë si dhe një 58 vjeçar, banues në fshatin Sineballaj të Rrogozhinës. Policia publikoi videon, ku shihet sesi dy personat e akuzuar vrapojnë në orvatje për t’i shpëtuar efektivëve.