Gjykata Themelore e Ferizajt ka shpallur për herë të dytë të njëjtin verdikt, Dardan Krivaqa, i akuzuar për vrasjen në mënyrë mizore të Marigona Osmanajt, nuk do ta shohë kurrë lirinë dhe pjesën tjetër të jetës do ta kalojë prapa hekurave.
Me verdiktin e kësaj të hëne, mbyllet dhe odisea e gjatë e çështjeve gjyqësore 4 vjeçare, ndërsa Marigona ndërroi jetë më 22 gusht të vitit 2021, e lënë pa shenja jete nga Krivaqa e miku i tij Arbër Sejdiu, në derën e spitalit të qytetit.
Vitin e kaluar, Krivaqa u dënua përjetë nga gjykata themelore, ndërsa Sejdiu me 15 vite burg. Por më 23 shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit miratoi ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e kthyer sërish rastin për rigjykim me arsyetimin se ka patur shkelje proceduriale gjatë procesit të gjatë.
Dosja u rikthye sërish për rigjykim në shkallën e parë, e cila tanimë ka dhënë verdiktin: Burg përjetë për Krivaqën e 15 vite burg për Sejdiun.
“Të akuzuarit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu janë fajtor, sepse i akuzuari Krivaça me datën 21 gusht 2021, në banesën e tij në Ferizaj, nga ora 10:14 deri të nesërmen më 22 gusht 2021, në mënyrë mizore e privon nga jeta të ndjerën Marigona Osmani. Gjatë dy ditëve rresht në vazhdimësi, kohë pas kohe, me vetëdije ndërmerr veprime të rënda ndaj saj, duke e goditur me shkop të drurit në pjesë të trupit, duke i shkaktuar lëndime e dhimbje fizike e psiqike. Shkaktohet vdekja e saj si pasojë e këtyre goditjeve. Me ndihmën e të pandehurit Arbër Sejdiu e dërgojnë në qendrën emergjente në Ferizaj. Me këto veprime ka kryer veprën vrasje e rëndë”, tha gjyqtari i rastit.
“I akuzuari Arbër Sejdiu me datën dhe kohë të përshkruar, me dashje i ka ndihmuar të akuzuarit Dardan Krivaça ta kryejë veprën penale të vrasjes së rëndë. Duke i krijuar Krivçës kushte për kryerjen e veprës penale, kur i akuzuari Dardan po ushtronte dhunë, Arbëri hynë në dhomë disa herë dhe bisedojnë me Dardanin. Me të cilat veprime ka kryer veprën penale ndihma në kryerjen e vrasjes së rëndë”, tha ai.
“Andaj, Gjykata në bazë të neneve të përmendura, të akuzuarin Krivaça për vrasje të rëndë, e gjykon me dënim me burgim të përjetshëm në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Të akuzuarin Arbër Sejdiu, dënohet me burgim prej 15 vitesh”, theksoi gjyqtari.