“Ikni! O çfarë katastrofe, çfarë nxehtësie” Pamjet video, situatë kritike me zjarret në Shëngjin

Që prej ditës së hënë një zjarr masiv ka prekur Shëngjinin, ndërsa këtë të martë flakët e favorizuara nga era i janë afruar një sërë godinash banimi.

Situata këtë pasdite është bërë mjaft kritike, teksa dhjetëra e dhjetëra zjarrfikës po mundohen të mbajnë flakët larg godinave të banuara. Dhjetëra banorë e pushues janë larguar nga godinat në fjalë, ndërsa flakët kanë mbërritur fare pranë pallateve e shtëpive.

Deri më tani të paktën 3 banesa janë djegur pjesërisht nga flakët ndërsa vatrat e zjarrit vijonë ende të rrezikojnë një sërë godinash në komplekse pushimi apo biznese.

Një moment kritik ka qenë në afërsi të Portit të Shëngjinit, atje ku ndodhet dhe një pikë hidrokarburesh. Në zonë janë përqendruar një numër i madh zjarrfikësish dhe forcave të armatosura, në orvatje për të shmangur një katastrofë.

Po në të njëjtën zonë në fjalë, pranë ish godinave ushtarake, janë dëgjuar dhe shpërthime të forta, me gjasë për shkak të shpërthimit të municioneve të mbetura atje prej vitesh.