Edhe pse ka kaluar veçse 1 javë nga koha që i biri është shtruar në spital, nëna e Dantes po përjeton një det të tërë me vuajtje. Veç shpirti i një nëne e ndjen më afër, dhimbjen e fëmijës.
Një javë më parë Dante qeshte, luante e vraponte nëpër shtëpi, ndërsa sot ai ndodhet në reanimacion, me zemrën sëmurë rëndë dhe jetën në fije të perit.
Për nënën e Dantes, prej një jave koha duket sikur është zgjatur në muaj. Edhe më e rëndë bëhet barra për zemrën e kësaj nëne, kur mendjen e saj e pushton një mendim, pesha e të cilit e bën menjëherë të qajë… ajo nuk ka mundësi ta kurojë djalin, është e pafuqishme të shpëtojë njeriun e saj më të shtrenjtë.
“Dante është fëmija më i bukur e më i qeshur në botë.. kur e shikoj aty të shtrirë, për Zotin, është gjëja më e vështirë që mund të përjetojë një prind. Ai ka qenë një fëmijë shumë aktiv, nuk rrinte një sekondë në një vend. E ta shohësh tani që nuk lëviz dot nga vendi, të dojë të luajë e të mos mundet dot, kjo është gjëja më e vështirë”
Zemra e Dantes është e zmadhuar. Të shumta aparaturat pranë vogëlushit që ndjen dhimbje të vazhdueshme në kraharor. Koha për të reaguar ngushtohet dita ditës, Dante duhet të largohet sa më parë për kurim të specializua jashtë shtetit.
Mes lotëve nëna e vogëlushit lutet për ndihmë, shpresa e saj e vetme për ta parë sërish buzëqeshjen e të birit, është bamirësia e shqiptarëve