Nëna i lutet Zotit, babai tenton ta risjellë në jetë… momenti kur 2 vjeçarja shpëtohet nga mbytja në pishinë

“Kur u hodha në pishinë, ia nxorra fytyrën nga uji, në atë moment pashë që ime bijë ishte bërë blu… me vete mendova, o Zot i madh, më vdiq fëmija”

Këto janë fjalët e një babai të quajtur Methju Shortrixh (Matthew Shortrigde), i cili u përball me makthin më të frikshëm për një prind… vajza e saj 2 vjeçare rrezikoi të mbytej.

Incidenti ndodhi në shtëpinë e familjes, ndërsa vajza 2 vjeçe ishte në pishinë më motrën e madhe e disa fëmijë të tjerë. Vogëlushja ishte e veshur me xhaketë me ajër, madje edhe me braçaleta në krahë.Në një moment, motra e madhe e 2 vjeçares lëshon një britmë, kur sheh që Mila nuk po lëvizte më.

Babai i vajzave, i cili qëndronte disa metra më tutje, hidhet menjëherë në pishinë. E gjithë skena dramatike regjistrohet nga kamerat e sigurisë në banësë. Methju, me profesion infermier, nis të bëjë frymëmarrje gojë më gojë mbi të bijën. Pak sekonda më vonë një kolege e tij, infermiere në repartin e traumës, nis po ashtu të bëjë masazh kardi-pulmonar mbi 2 vjeçaren.

Më tutje vjen nëna e vogëlushes, e cila mes klithmave ulet në gjunjë dhe nis t’i lutet Zotit me duart lart.

“Pashë vogëlushen time në tokë, ishte pa asnjë shenjë jete, s’po merrte frymë. Ishte një ndjenjë e frikshme”-kujton nëna e 2 vjeçares.

Momentet e tensionit vijonë për disa çaste, derisa vogëlushja nis të qajë. Mila merr frymë sërish dhe të gjithë të pranishmit çlirohen nga ky moment i frikshëm.

“Kur vajza nisi të qajë, e kuptova se gjithçka ishte mirë. E mora në krahë dhe të rrahurat e zemrës së saj po i ndjeja në kraharor, ishte një mrekulli”