Turqi: Autobusi me pasagjerë përplaset në këmbët e urës, 9 viktima, 26 të plagosur

Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të premte në njërën prej autostradave të Ankarasë, ku një autobus me pasagjerë është përplasur në njërën prej këmbëve të një ure. Bilanci paraprak është i rëndë, të paktën 9 të vdekur dhe 26 persona të plagosur.

Siç raporton Anadolu, autobusi me pasagjerë ishte nisur drejt Izmirit. Në vendin e ngjarjes mbërritën një brigadë me zjarrfikës e disa ambulanca. Zjarrfikësit nxorrën nga autobusi të lënduarit e viktimat, ndërsa mjekët e urgjencës dërguan nëpër spitalet pranë zonës të plagosurit e shumtë.

Një qytetar i quajtur Murat Türkoğlu, i cili udhëtonte me makinën e tij pas autobusit, tha për median turke se autobusi nisi të lëkundjen për 3-4 kilometra përpara përplasjes fatale me njërën nga këmbët e urës.

“Nga Temelli u larguam në të njëjtën kohë dhe ishim thuajse në krah të njëri- tjetrit. Autobusi po ecte disi shpejt dhe nisi të lëkundej 3-4 kilometra më para, pastaj goditi urën. Copat që fluturuan prej autobusit goditën makinën tonë. U mundova të sinjalizoj, i rash borisë, por ata nuk na dëgjuan”

26 persona në spital

Në një deklaratë zyrtare nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë turke, thuhej se “9 qytetarë humbën jetën ndërsa 26 të tjerë u plagosën. Trajtimi mjekësor i të lënduarve vijon në disa spitale. Lutemi për mëshirën e Zotit për ata që humbën jetët, ngushëllime për familjet e tyre dhe shprehim urimin për shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit”

Hetimi

Një hetim ka nisur tanimë për të hedhur dritë mbi shkakun e aksidentit tragjik. Tre prokurorë publikë kanë marrë në dorë çështjen, për të zbuluar se çfarë ka ndodhur. Media vendase hedh dyshime se shoferi i autobusit mund të jetë përgjumur në timon e për rrjedhojë mandej është përplasur.