“Nuk flasim me femra, duam Arturin” Zbardhet dinamika e sherrit mes familjeve shqiptare, si ndërroi jetë 37 vjeçari

Media italiane ka përcjellë të tjera detaje në lidhje me vrasjen e një 37 vjeçari shqiptar i quajtur Dritan Idrizi, i cili u godit për vdekje me thikë në zemër.

Autori, një tjetër shqiptar i quajtur Artur Cerria, është arrestuar tanimë nga autoritetet policore në Pesaro. Media italiane ka bërë të ditur dhe dinamikën e ngjarjes, e cila ndodhi mbrëmjen e të mërkurës në Tavullia.

Ngjarja mendohet se ka ndodhur për shkak të një borxhi që viktima i kishte thënë Cerrias, i cili punonte si tregtar online. Ky i fundit kishte refuzuar të kthente paratë.

Dritan Idrizi, së bashku me dy miq të tij të quajtur C.Gili dhe A. Shoshari, shkuan pranë banesës së Artur Cerrias për të marrë borxhin prej 5 mijë eurosh. Tre personat ishin të armatosur me shkopa e çekiçë.

Tre shqiptarët i sheh djali i Cerrias, i cili menjëherë thërret të atin. Nga dritarja e banesës, bashkëshortja e Cerrisë, një shqiptare në moshën 36 vjeçare, ka parë tre personat e armatosur dhe ka zbritur poshtë.

“Nuk flasim me femra, duam të flasim me meshkujt, duam Arturin”-i kanë thënë shqiptarët 36 vjeçares.

Në këtë moment situata u tensionua mes palëve shkruan media italiane, teksa thekson se Idrizi, Gili e Shoshari qëlluan gruan para syve të të birit.

Bashkëshorti i kësaj të fundit, Artur Cerria mbërriti më pas dhe u përlesh me tre personat. Media italiane shkruan se Idrizi i dha një goditje, ndërsa Cerria iu kundërpërgjigj me një thikë. Ai i tha hetuesve se e kishte goditur me thikë në bark viktimën, por sipas asaj që rindërtuan autoritetet, një prej goditjeve me thikë u bë në kraharor, në zemër. Goditja në fjalë qe fatale për Idrizin, i cili ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

Përleshja vazhdoi nga dy burrat e tjerë që vijuan të godasin gruan me shkopa. Djali 18 vjeçar arriti të bllokojë njërin prej dy burrave, duke e shtyrë dhe hequr nga duart shkopin. 18 vjeçari dhe nëna e tij pësuan plagë të shumta prej goditjeve me shkopa.

Cerria tha para hetuesve se ai vetë thirri policinë ndërsa sulmuesit vazhduan të bërtisnin “vritini, vritini të gjithë”.

Një prej dëshmitarëve okularë, pronar i një lokali, tha se dëgjoi britma të mëdha.

“Dola me vrap për të parë se çfarë po ndodhte. Pashë që erdhën ambulanca e policia. Më tutje mësova se dikush kishte vdekur”-tha pronari i lokalit Benjamin Baracca.

Ambulanca dërgoi me urgjencë Dritan Idrizin, por 37 vjeçari mbërriti pa shenja jete në spital. Idrizi ishte banues në Riccione dhe baba i një vajze të vogël.