Baba i dy fëmijëve… si u rrah për vdekje 42 vjeçari në Pogradec, pas një sherri për motive banale

Fillimisht u raportua se ishte i dehur dhe u rrëzua aksidentalisht në rrugë, por jeta e një 42 vjeçari nga Pogradeci rezulton të jetë një vrasje, ardhur nga rrahja barbare e të ndjerit, nga një 29 vjeçar i quajtur Denis Meçi.

Ky i fundit u konfliktua me 42 vjeçarin Egli Proga, pas një sherri për motive banale në ambientet e një lokali (në pronësi të familjes së viktimës). Debati u shndërrua në një dhunim brutal të 42 vjeçarit. Ky i fundit pas rrahjes ka qënduar disa minuta në lokal e më tutje ka dalë prej aty, duke u rrëzuar më pas në anë të rrugës, siç mund të shikoni dhe nga këto pamje.

Babai i dy fëmijëve u dërgua në spital, por nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve të marra e hemorragjisë në pjesën e kokës.

Autori i ngjarjes u largua. Autoritetet njoftuan të dielën se 29 vjeçari tanimë është arrestuar, e së bashku me të dhe tre persona të tjerë që akuzohen deri më tani për ‘moskallëzim të krimit’.

 “Shtetasi Denis Meçe, 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”. Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit: Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës”, njoftoi policia.