700 zjarrfikës, 32 helikopterë e avionë, pamje nga zjarri ‘apokaliptik’ në rrethinat e Athinës

Një zjarr i përmasave apokaliptike, ndërsa vija e flakëve zgjatet për dhjetëra kilometra duke shkrumbuar bimësi, pemë, banesa e madje edhe një spital fëmijësh.

Që prej të dielës, afro 700 zjarrfikës, 27 ekipe të pyjores, 183 automjete dhe plot 32 mjete fluturuese (17 avionë e 15 helikopterë), po punojnë për të shuar flakët që kanë kapluar rrethinën e kryeqytetit grek, Athinës.

Media greke shkruan qe vija e zjarrit eshte afro 30 kilometer

Zjarri nisi afro 20 kilometër nga kryeqyteti, në zonën e Varnavas. Brenda pak orëve, flakët gllabëruan dhjetëra hektarë tokë me bimësi/pemë. Për shkak të erës së fortë, flakët ishin të pamundura të ndaleshin.

Një duzinë me banesa u shkrumbuan, ndërsa flakëve nuk i shpëtuan as dy spitale në zonën e Pentelit, në veri të Athinës. Pacientët u evakuan në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërsa furia e zjarreve vijonte.

Një spital ishte për fëmijë, ndërsa një tjetër, spital ushtarak. Fotot e mëposhtme tregojnë momentet kur pacientët largohen me barrela e ambulance.

Një tjetër foto, e bërë virale në rrjet, tregon një zjarrfikës, shtrirë në tokë pranë spitalit të fëmijëve, plotësisht i rraskapitur nga lufta disaorëshe me flakët masive.

Nga të dhënat e publikuara deri më tani nga autoritetet greke, mbi 100 km katror tokë është djegur prej zjarrit në Varnavas.

Si pasojë e dhjetëra vatrave të zjarrit dhe erës me shpejtësi mbi 50 km/h që pritet të vijojë edhe të hënën, kjo është pamja e Athinës, qielli i të cilës është plotësisht i mbuluar.

Zjarret e flakët kanë qenë aq masive, saqë janë vëzhguar edhe nga satelitët në hapësirë, siç tregon edhe video e mëposhtme.