“O kafshë…” Mes lotëve motra e Egli Progës tenton përballjen me vrasësin e të vëllait: Po bëhet padrejtësi!

Jonida Proga,  motra 42-vjeçarit që u rrah barbarisht për vdekje në Pogradec, reagoi për median fill pas vendimit të gjykatës së Korçës, e cila në burg autorin e dyshuar të krimit dhe liroi tre të arrestuarit e tjerë.

Proga tha se po bëhet padrejtësi për vdekjen tragjike të të vëllait, një padrejtësi që sipas saj ka nisur që ditën e parë me trajtimin e rastit nga policia e deri tek vendimi për të lënë në detyrim paraqitje tre nga katër të akuzuarit.

Jonida Proga ka theksuar se i vëllai është rrahur në grup e në bashkëpunim.

“Po flisni për padrejtësi që filloi nga policia e shtetit, padrejtësi duke filluar nga regjistrimet, çdo akt që kanë sjellë ata, akt që ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, flasim për padrejtësi të menjëhershme, në kohë, në bashkëpunim. Flasim për banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes, me shënim “është vrasje”. Çfarë janë këta të tjerët që lihen me detyrim paraqitje?

Po vazhdon të vritet Egli, me çdo veprim dhe mosveprim që është duke u kryer. Kjo është vrasje për herë të tretë.

Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim, në masë, të një njeriu të pafajshëm dhe janë lëshuar një tufë huliganësh. Kjo është.

Duke njohur kontigjentët, unë nuk jam në dijeni për gjobë, por duke njohur elementët është gjëja më e rëndë. Kur guxohet ta vrasësh, me grushte një njeri, do të thotë që çdo gjë tjetër është e mundur. Është bërë më ekstremi, më e madhja.”-tha motra e viktimës.

Pak para përfundimit të seancës gjyqësore për masat e arrestit, Jonida Proga ka pritur të përballet me vrasësin e të vëllait. Policia nuk e ka lejuar t’i afrohet automjet që do ta dërgonte këtë të fundit në burg, ndërsa Jonida ka bërtitur në drejtim të Denis Meçes, duke e quajtur mes lotëve dhe emocioneve… “o kafshë”