Tiranë: Dy motra përndiqen e kërcënohen online nga durrsaku… prej presionit, 13 vjeçarja largohet nga banesa

Është një fenomen i njohur botërisht, me pasoja të tmerrshme deri në vetëvrasjen e atyre që bien pre e saj.  Kudo në vendet e përparuara ka programe, fushata ndërgjegjësimi e një reagim të shpejtë e të ashpër ndaj këtyre rasteve, por në Shqipërinë tonë të vogël, fare pak flitet për këtë krim që sjell në të paktën pasoja serioze psikike për të miturit.

Policia ka referuar së fundmi një rast të tillë, ku dy motra 20 e 13 vjeçe në kryeqytet, kanë rënë pre e përndjekjes, mashtrimit e më tutje kërcënimit online. Një 21 vjeçar i quajtur Harulla Kamani, ka arritur t’i marrë dy motrave foto intime, ndërsa më pas i ka përndjekur përmes disa profileve falso si dhe i ka kërcënuar që motrat t’i dërgojnë foto tjera intime.

Prej presionit të madh, fëmija 13 vjeçar është larguar nga shtëpia e saj, ndërsa prindërit të alarmuar kanë denoncuar në polici zhdukjen e të miturës.

Fatmirësisht policia ka mundur të gjejë vajzën e mitur dhe ta rikthejë në familje. 21 vjeçari që përndiqte e kërcënonte vajzat po ashtu është identifikuar e arrestuar nga policia.

Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, tha gjatë një konference për shtyp mbi rastin:

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në vijim të punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e veprave penale në fushën e krimeve kibernetike, ka administruar kallëzim nga një shtetase, banuese në qytetin e Tiranës, se në mënyrë të vazhdueshme është përndjekur në rrjete të ndryshme sociale, së bashku me motrën e saj të mitur, nga adresa të dyshuara të falsifikuara, nga një shtetas i paidentifikuar.

Si rezultat i presionit të ushtruar nga këto profile të falsifikuara e mitura 13 vjeçe është larguar nga banesa. Gjendur në këto kushte të ngushtme, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshmëm të situatës, pas një pune të mirëfilltë hetimore brenda një kohë rekord, është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të veprimeve hetimore u arrestua shtetasi Harulla Kamani, 21 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale”Përndjekja” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, parashikuar nganenet 121/a dhe 186/a të Kodit Penal.