62 raste të shantazhit nga qelia e burgut në Francë… si i përndiqte vajzat shqiptare Fabjan Dodaj

I dënuar në Francë për komplot kriminal e vjedhje, një shqiptar i quajtur Fabjan Dodaj është kthyer në tmerrin e dhjetëra vajzave shqiptare, të cilat përndiqeshin e kërcënoheshin online prej tij.

Nga qelia e burgut në Corbas të Francës, Dodaj hapte profile false në instagram e tik tok duke marrë foto të profileve të grave e vajzave. Këto të fundit i shantazhonte e kërcënonte, duke i kërkuar video/foto intime në këmbin të fshirjes së profileve false që ai u kishte hapur. Janë verifikuar të paktën 62 raste të përndjekjes online nga ana e Dodajt.

Pas kallëzimeve të shumta të marra në adresë të kriminelit, autoritetet kanë interceptuar sinjalet telefonike, të cilat rezultonin se vinin nga brenda burgut francez. Interpol Tirana ka komunikuar me autoritetet franceze, të cilat më tutje kanë ushtruar kontroll ne qelinë e Dodajt, duke i gjetur aparatin celular.

“Gjatë hetimeve të kryera, janë siguruar prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin se shtetasi Fabjan Dodaj, 34 vjeç, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg në Francë për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal”, parashikuar nga Kodi Penal Francez, ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” informoi sot policia e Tiranës.  “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Perndjekja”, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, parashikuar nga nenet 86/a, 121, 121/a, 293/b të Kodit Penal.

Pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që pulsonin nga burgu “Lyon Cobras”, në Francë, është bashkëpunuar me Interpol Tirana dhe autoritetet Franceze dhe është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi Fabjan Dodaj, dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ky shtetas përdorte për veprimtarinë kriminale
”- informoi sot drejtori i policisë së Tiranës