Dy ditë më parë në rrugën e Elbasanit në Tiranë, një grua në moshë është përballur me dy të rinj që i kanë vjedhur nga qafa një varëse floriri. Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, ndërsa hajdutët në mosha të reja, 23 e 21 vjeç i kanë vjedhur varësen dhe më tutje kanë vrapuar, pa e kuptuar se e gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë.
Policia njoftoi këtë të shtunë se dy djemtë janë arrestuar, ndërsa varësja e vjedhur po ashtu i është sekuestruar, së bashku me një aparat celular dhe rrobat e veshura prej tyre në ditën e grabitjes.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Necklace”.
I vodhën varësen e floririt një shtetaseje, identifikohen dhe arrestohen dy autorët e dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas marrjes së njoftimit se dy persona i kishin vjedhur varësen një shtetaseje, në Rrugën e Elbasanit, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Necklace”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1, u identifikuan, kapën dhe ndaluan shtetasit D. M., 23 vjeç, dhe L. M., 21 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 15.08.2024, në Rrugën e Elbasanit, i kanë vjedhur varësen një shtetaseje dhe më pas janë larguar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e vjedhur, një aparat celular dhe veshjet që këta shtetas kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.