“Ik se s’ke gjë, ke stres” 61 vjeçarja në Korçë vdes në derë të spitalit, ditën e ditëlindjes së saj

Tre ditë më parë Tatjana Dajko priste të festonte ditëlindjen me familjarët, pa e ditur se ajo ditë e 61 vjetorit të saj, do të ishte e fundit.

Dajko ndërroi jetë në dyert e spitalit të Korçës, teksa familjarët e çonin për herë të dytë në spital. Dy mjeke u vunë nën hetim mbi rastin për neglizhencë në mjekim, ndërsa tani familjarët e të ndjerës kërkojnë drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Vajza e 61 vjeçares, Klotina Topulli, rrëfeu këtë të shtunë për mediat se nëna e saj u trajtua në mënyrë plotësisht të papërgjegjshme nga mjekët, ndërsa në orët e pasdites ndërroi jetë, teksa po familja po e sillte në spital për herë të dytë.

E veshur me të zeza dhe mes lotëve, ajo rrëfen.

“E ka marrë mamin vëllai, në 09:50 e ka çuar në urgjerncën e spitalit. Mami kishte shtrëngim në gjoks dhe dhimbje në mes të shpatullave. E kanë shpënë atje, i kanë matur tensionin dhe oksigjenin. I kanë bërë një qetësues dhe i kanë vënë një hapje (ilaç) nën gjuhë.

Qëndroi 10 min shtrirë dhe i thanë ‘ngrihu se erdhi tjetri, ulu te stolat te korridori i urgjencës.’

U ul aty priti pak dhe i vajti tek dera doktoreshës i tha a do ma matni prap tensionin. Çfarë do të më bëni, ajo (mjeku) i tha ‘ik se nuk ke asgjë ke ankth, stres.’

Kur doli nga dera e spitalit ajo tha po ndihej më keq. Kur erdhi në shtëpi tha po ndihem akoma më keq prej ilaçeve. Nuk ndihem mirë. E pamë që u bë më keq rreth orës 19: 30 kemi marrë ambulancën, e pamë që ambulanca po ashtu (vonoi) …morëm makinën tonë dhe e çuam.

Sa arritëm te dera e spitalit mamaja ka vdekur, ajo kishte hemoragji nga hundët, nga goja.

Si mund të thonë ata që ka vdekur për shkaqe të panjohura, natyrale, kur ne e kemi paraqitur në dhjetë pa dhjetë (09:50)  në spital. Nuk është vdekje e menjëhershme. Ne e çuam në spital. Duhet të marrë masat shteti, mos e pastë fatin asnjë siç e pati mamaja ime nga doktorat. Nuk vuante nga asgjë, as tension, asgjë. 61 vjeç mbushi atë ditë që vdiq.”-tregoi vajza e të ndjerës.

Djali i të ndjerës, i cili e dërgoi dhe në spital nënën që në mëngjes, thotë se mjekët u kujtuan t’i jepnin ndihmë urgjente, kur ai e solli nënën për herë të dytë në spital… e kur ajo ishte në grahmat e fundit të jetës.

“E pyeti doktoresha çfarë ke?I tha mamaja më dhemb gjoksi dhe kurrizi. I matën tensionin dhe oksigjenin. I bënë gjëlpërë e ngritën u ul te stolat mamaja pas meje, u ngritëm prap i tha mamaja do më masni tensionin prap?Ik Ik i thanë nuk ke gjë një gjëndje ankthi ke.

Duke erdhur rrugës për në shtëpi më tha mua,po më ze më shumë tani, por s’ka gjë do më kalojë. Erdhëm në shtëpi jo më tha po më ze më shumë. Erdhëm në shtëpi, kishte ditëlindjen, do prisnin tortën mbesat, por sa hyri brenda u këput.

Morëm ambulancën,prit të vinte,pas 12 min na tha jemi në Bulgarec. Megjithatë mora makinën time, me sakrificë, e çova në spital, te dera e spitalit atëherë morën mjetet për mamanë time. Jo nuk bëhet ajo gjë, tja bënin shërbimet si vdiq.”-tha djali i të ndjerës.

Fëmijët e 61 vjeçares kërkojnë drejtësi për nënën e saj.

“Përse e mbajtën në morg kur i kanë vënë ato diagnoza? I kanë vënë diagonëz ‘vdekje e menjëhershme’.  Çfarë janë këto që shkruajnë. Çfarë ka nxjerrë ekspertiza?”