Disa të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar këtë të hënë në zonën e ‘Komunës së Parisit’ në Tiranë. Dy persona janë përplasur mes tyre pas një debati për motive të dobëta, duke bërë që njëri prej tyre të nxjerrë armën. Autori i dyshuar, shtetasi me inicialet E.G, rezulton të jetë punonjës policie. Ky i fundit ka plagosur personin me të cilin u konfliktua, një 45 vjeçar të identifikuar me inicialet L.K.
I plagosuri është dërguar në urgjencë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
“Tiranë/Informacion paraprak. Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”-njofton policia.