Erion Goxharaj qëlloi të paktën 6 herë me armë zjarri në drejtim të Lorenc Kostës, duke e lënë të plagosur dhe në një pellg gjaku 45 vjeçarin.
Ngjarja e rëndë ndodhi në kryeqytet, në zonën e njohur si ‘Komuna e Parisit’. 30 vjeçari Goxharaj punon si oficer i policisë kufitare. Policia dyshon se efektivi e ka plagosur 45 vjeçarin pasi ky i fundit i ka ngacmuar bashkëjetuesen.
I plagosuri e bashkëjetuesja e Goxharajt rezulton të punojnë të dy në të njëjtin sektor, tek Enti Rregullator i Energjisë.
Efektivi ka qenë në makinë, kur i është afruar Lorenc Kostës. Ai e ka qëlluar të paktën 6 herë në pjesën e këmbëve dhe më tutje është larguar po me makinën e tij.
Në vendin e ngjarjes, drejtori i policisë së Tiranës Tonin Vocaj, tha se ka komunikuar personalisht me autorin, teksa ky i fundit është ende në arrati.

“Kam komunikuar me efektivin është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke shpenzuar energjitë që ta kapim. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket nga komunikimet me mjekët i plagosuri nuk është në rrezik ekstrem për jetën”, tha Vocaj.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje Goxharaj u largua me një automjet tip Chevrolet të kuq ndërsa policia ka ngritur disa pika kontrolli për kapjen e tij.